Pyetje:

Kam një pyetje që më ka munduar shumë dhe do të doja ta kuptoja më mirë nga ana fetare. Kam pasur një abort në javën e 9-të të shtatzënisë dhe shpesh mendoj për atë fëmijë. Dua të di: a do të kem mundësi ta takoj në botën tjetër? A konsiderohet ai shpirt dhe a mund të bëhet ndërmjetësues për mua tek Zoti? Gjithashtu, si shihet kjo situatë në fe dhe a ka shpresë që një nënë të bashkohet me fëmijën e saj në ahiret? Do ta vlerësoja shumë një përgjigje të sinqertë dhe sqaruese.

Përgjigje:

Së pari, lus Allahun t’ua zëvendësojë atë fëmijë me një tjetër më të mirë.

Së dyti, keni parasysh gjithmonë se Allahu e shpërblen besimtarin edhe për dhimbjen që përjeton kur e shpon një gjemb; s’ka dyshim se shpërblimi për humbjen e fëmijës është më i madh, pasi edhe dhimbja është më e madhe.

Tani na mbetet të sqarojmë nëse tek ai embrion ishte futur shpirti apo jo.

Sipas argumenteve të sakta fetare, fetusit i futet shpirti kur i ka plotësuar 120 ditë. Pra, në rastin tuaj, fetusi nuk i ka plotësuar ditët për t’u bërë njeri me trup e shpirt.

Dijeni se tek Allahu asgjë nuk humb. Edhe ajo që ka ndodhur, pra aborti, ka qenë në dobinë tuaj, kurrsesi në dëmin tuaj e as të familjes suaj.

Nëse bëni durim, tek Allahu keni për të gjetur shpërblim të madh.

Allahu jua kompensoftë atë që humbët me pasardhës të devotshëm!

/Hoxhë Kastriot Bardhi/