Pyetja: A është e vlefshme kontrata e martesës, kur çifti ka kryer abort të një shtatzënie 3-javëshe një javë para lidhjes së nikahut, për shkak të bindjes së tyre se nikahu nuk është i vlefshëm gjatë shtatzënisë?
Përgjigjja:
I gjithë falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është robi dhe i Dërguari i Tij.
Nëse janë përmbushur kushtet themelore për një martesë të vlefshme, atëherë martesa është e vlefshme. Ndër kushtet më të rëndësishme janë: oferta dhe pranimi (ixhabi dhe kabul), prania e kujdestarit (wali) dhe dëshmitarëve. Vlefshmëria e martesës nuk ndikohet nga fakti se ajo është lidhur pas abortimit të shtatzënisë.
Ekziston mospajtim mes juristëve islamë lidhur me gjykimin e martesës me një grua që ka kryer zina (imoralitet) para se të jetë bërë pastrimi i mitrës së saj (istibra’). Disa dijetarë kanë qenë të mendimit se një martesë e tillë lejohet. Ky mendim është transmetuar nga Ebu Bekri dhe Omeri ibn el-Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me ta), dhe është gjithashtu mendimi i Eth-Theuriut, Esh-Shafi’iut (Allahu i mëshiroftë), si dhe i dijetarëve të njohur si Ashabur-Ra’j (pasuesit e mendimit juridik), siç e ka përmendur Ibn Kudame (Allahu e mëshiroftë) në librin El-Mugni.
Për më tepër, edhe sipas atyre dijetarëve që e ndalojnë martesën para istibra’it, kjo nuk e justifikon abortimin e shtatzënisë, edhe nëse ajo ka ardhur si rezultat i zinasë. Aborti në një rast të tillë është i ndaluar dhe mendimi më i fortë ndër juristët është se ai është i ndaluar në çdo fazë të zhvillimit të fetusit.
Prandaj, është detyrim të bëhet pendim i sinqertë tek Allahu për abortin, dhe po ashtu është detyrim të bëhet pendim për veprën e zinasë.
Allahu e di më së miri.
Burimi: islamweb.net / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net




