Pyetja:
“Kam arritur të bind një pjesëtare të familjes që t’i fillojë namazit, por thonjtë e lyer apo të ngjitur artificialë po shërbejnë si pengesë apo demotivim për të, meqë duhet t’i heqë gjatë marrjes së abdesit. A mund të na jepni një këshillë se si t’i qasemi dhe ta menaxhojmë këtë situatë, duke parasysh se imani i saj është ende i dobët dhe nuk është forcuar ende në udhëzim?”
Përgjigjja:
Është e vërtetë se gjatë marrjes së abdesit, të gjitha pjesët që duhet të lahen duhet të jenë të lira nga yndyrat apo çfarëdo lënde tjetër që pengon arritjen dhe depërtimin e ujit. Në këtë rast, si llaku i thonjve, ashtu edhe thonjtë artificialë e pengojnë ujin të depërtojë te thoi dhe përreth tij.
Çfarë duhet të bëjmë me këta persona?
Së pari, elhamdulilah që ajo ka filluar të falet, sepse ky është hapi më i rëndësishëm. Ashtu siç dëgjoi për ta filluar namazin, me kalimin e kohës do të dëgjojë edhe për heqjen e thonjve artificialë, sepse ata përbëjnë një problem tjetër që bie ndesh me rregullat e fesë lidhur me zbukurimin e ndaluar. Megjithatë, nuk duhet t’i bëhet presion që në fillim.
Si zgjidhje të përkohshme mund të sugjerohen këto opsione:
- Përdorimi i thonjve që ngjiten dhe hiqen lehtë: Ajo mund të marrë abdes dhe gjatë kohës që mban atë abdes (për shembull për të falur dy apo tri kohë namazi), mund t’i vendosë e t’i heqë me lehtësi.
- Përdorimi i tyre në periudhat kur nuk falet: Për shembull, gjatë kohës së ciklit menstrual kur është e liruar nga namazi.
- Nëse nuk pranon absolutisht t’i heqë thonjtë apo llakun, por gjithsesi dëshiron të falet: Lëreni të falet ashtu siç është. Pasi ajo gjithsesi nuk po i heq thonjtë apo llakun, nëse i themi “mos u fal kështu”, rrezikojmë që ajo të mos falet fare. Është më mirë të vazhdojë faljen, ndërsa ne vazhdojmë ta këshillojmë gradualisht dhe t’i ofrojmë opsione të tjera.
Gjithsesi, synimi kryesor mbetet këshillimi me durim që të mënjanohet llaku dhe thonjtë artificialë, veçanërisht në kohën e namazit, duke bërë sabër me të hap pas hapi.
Hoxhë Dr. Rasim Haxha
Dëgjoje me video👇




