Pyetja:A lejohet marrja e fëmijëve të vegjël në xhami nëse ekziston një mundësi e madhe që ata të bëjnë zhurmë? A është e ndaluar (haram) apo thjesht e lejuar?

Përgjigjja: Së pari, është e rëndësishme që fëmijët të mësohen me namazin, me xhaminë dhe me dispozitat e tjera fetare. Megjithatë, kjo nuk duhet të bëhet në mënyrë detyruese apo të vazhdueshme, por herë pas here, në mënyrë që ata të njihen me ambientin e xhamisë dhe me namazin.

Ky parim vlen veçanërisht për fëmijët që nuk janë shumë të zhurmshëm. Nëse fëmija është i qetë nga natyra, qëndron diku në ndonjë kënd të xhamisë, apo edhe nëse flet dy-tri fjalë ose lëviz pak, kjo nuk përbën ndonjë problem të madh. Po ashtu, nëse xhamia ka një hapësirë apo kënd të veçantë ku fëmijët mund të qëndrojnë pa penguar të tjerët, atëherë është mirë t’i marrim.

Nga ana tjetër, nëse xhamia nuk ka një hapësirë të tillë dhe fëmijët janë mjaft të zhurmshëm, është më mirë të mos i marrim me vete. Çdo besimtar që shkon në xhami dëshiron ta falë namazin me qetësi dhe përkushtim (hushuk). Ashtu siç na pengon dikush që falet afër nesh dhe lexon me zë të lartë, ashtu edhe zhurma e fëmijëve mund t’i shpërqendrojë të tjerët gjatë namazit.

Prandaj, duhet të kujdesemi për edukimin e tyre paraprak. Është mirë të pritet derisa fëmijët të kalojnë atë fazë të hershme ku ende nuk e kuptojnë udhëzimin për të ndenjur urtë e për të mos vrapuar. Pasi ta kalojnë këtë moshe, apo nëse janë natyrë e qetë, atëherë mund t’i marrim në xhami.

Në raste të tilla, mund t’i marrim më rrallë ose në kohë kur ka më pak xhemat dhe gjatë namazeve më të shkurtra, në mënyrë që të mësohen gradualisht.

/Hoxhë Dr. Rasim Haxha/