A është risku i përcaktuar që më parë dhe nuk i nënshtrohet ndryshimit? Atëherë, si mund të shtohet përmes lutjes, përpjekjes dhe ruajtjes së lidhjeve farefisnore?

Pyetje: Kam lexuar në Mexhmu’u Fetaua Shejkhul-Islam Ibn Tejmije se risku është i dy llojeve:

Risku që është përcaktuar tashmë dhe lidhet me caktimin e Allahut. Ai është përcaktuar që më parë dhe nuk mund të ndryshohet, pavarësisht se çfarë ndodh, pra është i pandryshueshëm.

Risku që lidhet me caktimin e Allahut, i cili u shkruhet engjëjve. Ai është i përkohshëm dhe varet nga faktorë të tjerë, si dhe lidhet me mjetet dhe shkaqet.

Shpresoj që të ma shpjegoni këtë, sepse kjo çështje nuk është e qartë për mua dhe si pasojë kam përjetuar shumë zhgënjim dhe hutim, si dhe nuk kam më dëshirë të bëj lutje, sepse sado të përpiqem, mund të mos arrij të kem aq risk sa njerëzit e tjerë.

Përgjigje: Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, dhe salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut:

Ajo që shpjegohet në tekstet fetare dhe që është sqaruar nga Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij ﷺ në një mënyrë që nuk lë vend për paqartësi, është se lutja dhe përpjekja për të arritur riskun janë pjesë përbërëse e asaj që Allahu ka caktuar.

Prandaj, kushdo që e kupton këtë, do të besojë në kaderin hyjnor ashtu siç kërkohet dhe do ta kuptojë se nuk ka asnjë kundërthënie ndërmjet kaderit dhe marrjes së masave të duhura që çojnë drejt llojeve të ndryshme të riskut. Ndër masat më të rëndësishme janë lutja dhe kërkimi i riskut nga Allahu i Lartësuar. Pasi ta kuptojë këtë, ai nuk do të jetë më i hutuar, në dashtë Allahu.

Pra, kaderi nuk është pengesë për lutjen dhe as lutja nuk është e ndarë nga kaderi. Përkundrazi, ajo është pjesë e tij.

Shejkhul-Islam Ibn Tejmije (rahimehullah) ka thënë:

Risku është i dy llojeve:

Ai që bën pjesë në dijen e Allahut që nga përjetësia, se Ai do t’ia japë një personi. Ky nuk ndryshon.

Ajo që Allahu ka caktuar dhe për të cilën i ka njoftuar engjëjt. Kjo mund të shtohet ose të pakësohet në përputhje me shkaqet dhe masat që ndërmerr personi.

Për çdo person, Allahu i urdhëron engjëjt të shkruajnë një sasi të caktuar risku dhe, nëse ai i ruan lidhjet farefisnore, Allahu ia shton riskun, ashtu siç është transmetuar në mënyrë autentike në Es-Sahih nga Profeti ﷺ se ka thënë: “Kush dëshiron që t’i shtohet risku dhe t’i zgjatet jeta, le t’i ruajë lidhjet farefisnore…”

Po kështu, Umeri ka thënë: O Allah, nëse Ti ke caktuar që unë të jem prej të dëshpëruarve, atëherë fshije këtë dhe shkruaj se do të jem prej të lumturve, sepse Ti fshin ose konfirmon atë që dëshiron.

Allahu i Lartësuar na tregon se Nuhu ka thënë: {Adhuroni Allahun, frikësojuni Atij dhe bindmuni mua, që Ai t’jua falë disa prej mëkateve tuaja dhe t’ju japë afat deri në një kohë të caktuar} [Nuh 71:3-4]. Ka edhe shumë tekste të tjera që e mbështesin këtë.

Masat që ndihmojnë njeriun të arrijë riskun janë pjesë e asaj që Allahu ka caktuar dhe shkruar. Prandaj, nëse është caktuar që një person ta arrijë riskun përmes përpjekjes dhe mundit të tij, Allahu do ta frymëzojë atë që të përpiqet dhe të punojë me zell.

Fundi i citimit nga Mexhmu’u Fetaua, 8/540.

Kështu, Ibn Tejmije (rahimehullah) i shpjegoi mjetet dhe masat që Allahu i Lartësuar ka përcaktuar në mënyrë që njerëzit të arrijnë riskun. Vetë këto masa janë pjesë e kaderit, sepse Allahu i Lartësuar ka caktuar gjithçka dhe di gjithçka. Pra, Ai ka caktuar riskun, por ka caktuar edhe shkaqet që çojnë drejt tij.

Shejkhul-Islam Ibn Tejmije dhe dijetarë të tjerë kanë shpjeguar se kaderi lidhur me riskun dhe çështjet e tjera është i dy llojeve:

1. Kaderi që është i pandryshueshëm dhe nuk ndryshon:

Ky është pjesë e dijes së Allahut, dija e të Cilit përfshin gjithçka që do të ndodhë. Kjo përfshin dijen e Tij se një individ i caktuar do të ndërmarrë masa për të arritur riskun, siç janë lutja dhe përpjekja. Gjithashtu, përfshin dijen e Tij se Ai do t’i përgjigjet lutjes dhe do t’i japë atij personi risk, sepse ai ka ndërmarrë masat e duhura, mbi bazën e të cilave Allahu ia ka caktuar riskun që i ka dhënë, pasi Ai i ka bërë këto masa shkak që çon drejt riskut.

Ky lloj kaderi nuk ndryshon dhe nuk pëson ndonjë ndryshim, sepse është pjesë e dijes së Allahut të Lartësuar, të cilës nuk mund t’i shpëtojë asgjë dhe asgjë nuk është e fshehtë prej Tij.

2. Kaderi që i nënshtrohet ndryshimit dhe shndërrimit:

Ky është ai për të cilin Allahu i Lartësuar i njofton engjëjt dhe të cilin engjëlli i caktuar për një person e shkruan. Ajo që shkruhet në regjistrat e engjëllit mund të shtohet ose të pakësohet, të fshihet ose të konfirmohet, në varësi të veprave të individit, siç janë lutja, ruajtja e lidhjeve farefisnore dhe përpjekja.

Allahu i Lartësuar e di që nga përjetësia se personi do të ndërmarrë masa që mund të çojnë në ndryshimin e asaj që është shkruar në regjistrat e engjëjve. Kështu, ai i ruan lidhjet farefisnore, bën lutje ose ndërmerr masa të tjera dhe, për shkak të kësaj, Allahu i Lartësuar i urdhëron engjëjt të fshijnë atë që kanë në regjistrat e tyre dhe urdhëron që risku i tij të shtohet, për shkak të veprave të personit.

Ajo që gjendet në regjistrat e engjëjve është vetëm ajo që shkruhet në regjistrat e tyre kur individi ndodhet në barkun e nënës së tij, siç është transmetuar nga Muslimi. (Transmetojnë El-Buhariu, 318 dhe Muslimi, 2646).

Shejkhul-Islam Ibn Tejmije ka thënë:

“Prandaj, dijetarët kanë thënë se fshirja dhe konfirmimi zbatohen vetëm për atë që është shkruar në regjistrat e engjëjve. Sa i përket dijes së Allahut të Lartësuar, ajo nuk ndryshon dhe Atij nuk i shfaqet ndonjë dije e re për të cilën nuk ka qenë në dijeni më parë. Prandaj, nuk mund të ketë fshirje apo konfirmim.”

Fundi i citimit nga Mexhmu’u Fetaua, 14/492.

Ajo që është shkruar në regjistrat e engjëjve varet nga shkaqet dhe masat. Prandaj, nëse një individ ndërmerr masat e duhura, risku i tij mund të shtohet.

Sahabët e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ: O i Dërguari i Allahut, a nuk duhet të mbështetemi te kaderi ynë dhe të ndalojmë së përpjekuri? Ai tha: “Vazhdoni të përpiqeni, sepse secilit do t’i lehtësohet ajo për të cilën është krijuar.” Pastaj lexoi fjalët:

{Sa i përket atij që jep dhe i frikësohet Allahut, dhe beson në shpërblimin më të mirë} [El-Lejl 92:5-6].

Transmetojnë El-Buhariu, 4945 dhe Muslimi, 2647.

Et-Tibiu ka thënë: Ai nuk i lejoi ata të hiqnin dorë nga përpjekja, por i udhëzoi të bënin atë që u kërkohet njerëzve, pasi ata janë robër të Allahut.

Fundi i citimit nga Fet’hul-Bari, 11/497.

Shejkhul-Islami (rahimehullah) e ka cituar këtë hadith dhe hadithe të ngjashme, pastaj ka thënë:

“Kushdo që nuk i ndërmerr masat e përcaktuara, ashtu siç është urdhëruar, qofshin ato të detyrueshme apo të pëlqyeshme, me qëllim që të arrijë atë që është në dobinë e tij ose të largojë dëmin, ai vepron në kundërshtim me mësimet islame dhe me arsyen.”

Fundi i citimit nga Mexhmu’u Fetaua, 8/177.

Çështja është kjo:

Është një gabim i rëndë që dikush të mendojë se nëse heq dorë nga lutja, kërkimi i Allahut dhe mbështetja tek Ai, atëherë risku që i është caktuar do t’i vijë gjithsesi. Kjo sepse Allahu i Plotfuqishëm, i Cili e ka caktuar riskun, e ka bërë lutjen, mbështetjen tek Ai, përpjekjen, ruajtjen e lidhjeve farefisnore e të tjera, mjete për arritjen e riskut.

Sa u përket engjëjve, ata nuk kanë njohuri për riskun e një personi apo për masat që mund ta ndihmojnë atë ta arrijë atë, përveç asaj që Allahu i Lartësuar u tregon. Prandaj, ata e shkruajnë atë kur personi ndodhet në barkun e nënës së tij dhe e gjithë kjo mbetet e hapur ndaj fshirjes ose konfirmimit, në varësi të faktit nëse individi përpiqet, bën lutje dhe mbështetet tek Allahu.

Shejkhul-Islami ka thënë:

“Kushdo që thotë: ‘Ajo që më është caktuar do të më arrijë, pavarësisht nëse bëj lutje apo jo dhe pavarësisht nëse mbështetem tek Allahu apo jo’, është si ai që thotë: ‘Ajo që më është caktuar, nëse do të jem prej të lumturve apo prej të dëshpëruarve, do të më ndodhë, pavarësisht nëse besoj apo jo dhe pavarësisht nëse bindem apo bëj mëkate.’ Dihet mirë se kjo është devijim dhe kufër.”

Fundi i citimit nga Mexhmu’u Fetaua, 8/176.

Prandaj, duhet ta kuptosh se lutja jote, përpjekja jote, mbështetja jote tek Allahu dhe kërkimi yt prej Tij janë të gjitha pjesë e kaderit të Allahut. Këto janë mjetet që Allahu i Lartësuar ka përcaktuar se duhet të çojnë drejt riskut.

Gjithashtu, duhet ta kuptosh se Allahu i Lartësuar i përgjigjet lutjes së atij që e lut Atë, kur ai e lut Atë, dhe jo përpara kësaj apo pa këtë. Lutja është mjeti që çon drejt përgjigjes dhe dhënies së riskut, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar:

{E kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër. I përgjigjem lutjes së lutësit, kur ai më lutet. Prandaj, le të më përgjigjen Mua dhe le të më besojnë Mua, në mënyrë që të udhëzohen drejt} [El-Bekare 2:186];

{Zoti juaj ka thënë: Më lutni Mua, Unë do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj ndaj adhurimit Tim, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar} [Gafir 40:60].

Ka shumë ajete në Kuran që tregojnë se Allahu i Lartësuar do t’i përgjigjet lutësit pasi ai ta lutë Atë dhe për shkak të lutjes së tij. Prandaj, ruhu nga vesveset e shejtanit, sepse ai dëshiron të të pengojë nga adhurimi i Allahut, ose të të bëjë të heqësh dorë nga mjetet përmes të cilave Allahu u jep risk robërve të Tij, u dhuron atyre dhe i mëshiron.

Shejkhul-Islam Ibn Tejmije ka thënë:

“Kur Allahu dëshiron të mirën për një person, e frymëzon atë që ta lusë Atë dhe të kërkojë ndihmën e Tij, dhe e bën kërkimin e ndihmës së Tij dhe lutjen e tij mjet për arritjen e së mirës që Ai ia ka caktuar. Umeri ibn el-Khattabi (radijAllahu anhu) ka thënë: Nuk shqetësohem për përgjigjen e lutjes, por shqetësimi im është nëse bëj lutje, sepse nëse frymëzohem të bëj lutje, përgjigjja do të vijë bashkë me të.

Po kështu, kur Allahu i Lartësuar dëshiron t’i japë robit të Tij ushqim dhe pije që e kënaqin, e frymëzon atë të hajë ose të pijë. Dhe kur Allahu dëshiron ta mëshirojë robin e Tij, e frymëzon atë të pendohet, pastaj ia pranon pendimin. Kur dëshiron ta mëshirojë dhe ta fusë në Xhenet, ia lehtëson kryerjen e veprave të banorëve të Xhenetit.

Vullneti hyjnor ka caktuar që të gjitha këto të mira të lidhen me mjetet që janë caktuar për të çuar drejt tyre, ashtu siç Allahu ka caktuar që hyrja në Xhenet të lidhet me veprat e mira, lindja e fëmijëve të lidhet me marrëdhëniet intime dhe arritja e dijes të lidhet me kërkimin e dijes.”

Fundi i citimit nga Iktida’us-Siratil-Mustekim, 2/229.

Për më tepër, nuk duhet ta krahasosh veten me të tjerët. Përkundrazi, duhet të kesh besim dhe bindje të plotë në urtësinë e Allahut, sepse Ai jep për një arsye dhe ndalon për një arsye. Nëse sheh se të tjerët kanë më shumë risk se ti, atëherë ndoshta një nga arsyet për këtë është se ata bëjnë më shumë lutje dhe i kërkojnë Allahut më shumë, përpiqen më shumë, mbështeten më shumë tek Allahu dhe ndërmarrin më shumë masa. E gjithë kjo ndodh për një arsye që e di Allahu i Lartësuar, sepse vetëm Ai jep risk me bollëk ose e jep atë në masë të kufizuar. Ai bën atë që dëshiron dhe cakton atë që dëshiron. I Lartësuar qoftë Ai.

Për më tepër, kjo pasuri e madhe nuk do të thotë domosdoshmërisht se personi është i nderuar tek Allahu i Lartësuar.

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: islamqa.info  / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net