Pyetja:

Jetoj në Danimarkë dhe më ka ardhur një letër nga komuna për kur të vdes a bën që pjesët e trupit (organet) me ia dhënë një njeriut që ndoshta mund t’ia shpëtojmë jetën. Dua ta di nga ju se çfarë duhet të bëj. Është e lejuar kjo në Islam apo jo?

***

Përgjigjja:

Sa i përket transplantimit të organeve pas vdekjes, dijetarët bashkëkohorë islam kanë mendime të ndryshme. Disa e lejojnë me kushte të caktuara e disa fare nuk e lejojnë.

Një gjë duhet pasur para sysh se nga organet e të vdekurit mund të përfitohet vetëm atëherë kur njeriu është në agoni të vdekjes dhe fill pas daljes së shpirtit i merret organi si dhe kur njeriu është në gjendjen që njihet me emrin vdekje klinike. Në të kundërtën, nëse njeriu vdes në shtëpi, pastaj kufoma operohet në spital për t’iu marrë organi, të cilin dëshirojnë ta transplantojnë tek i sëmuri tjetër, nuk do të përfitohet aspak nga ato organe të nxjerra nga i vdekuri, pasi me daljen e shpirtit vdes i tërë trupi dhe nuk mund të përfitohet asgjë nga organet e vdekura. Kështu, marrëveshja që ju mund ta bëni për transplantimin e organeve tuaja, ka të bëjë nëse ju mund të përfundoni me vdekje klinike, apo jeni në spital gjatë agonisë së vdekjes. Mendimi më i saktë lidhur me bartjen e organeve gjatë gjendjes së vdekjes klinike nuk lejohet, kurse tema që mund të diskutohet është nëse transplantimi ndodh fill pas vdekjes. Nëse do ta përkrahnim mendimin e lejimit, atëherë do të duhej t’i kishim në konsideratë kushtet që dijetarët i caktuan, për ta kufizuar lejimin që mos të caktohet përfituesi, por bamirësia të jetë e përgjithshme, të mos shiten me para, apo çfarëdo përfitimi tjetër të përkohshëm, të mos hapen të ashtuquajtura banka për transplantimin e organeve, të mos ketë dyshime në keqpërdorimin e jetës së të sëmurit etj.

Sipas asaj që mund ta shohim, edhe po të ishte më i favorshëm mendimi për lejim, vështirë se do të plotësoheshin këto kushte në vendin ku ju jeni, pasi që ai vend u njoh me përçmimin e krijesës më të çmuar, Muhamedit, ﷺ.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku