Pyetja:
Në qoftë se gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit je me menstruacione (duke e ditur se nuk mund të falesh dhe të lexosh Kuran) çfarë mund të bëj, si të bëj ibadet?
***
Përgjigjja:
Më gëzon fakti motër e nderuar, që brengoseni për gjendjen që mund të jeni gjatë netëve më të vlefshme të vitit, e cila ju pengon nga jetësimi i disa ibadeteve. Bile ky duhet të jetë profili i muslimanes së devotshme.
Allahu e ka sprovuar gjininë femërore me ciklin menstrual mujor, të cilin Ai vet e quan mundim për femrën. Për shkak të atij mundimi, i Madhërishmi i ndaloi burrit që t’i afrohet asaj, e liroi atë tërësisht nga falja e namazit gjatë atyre ditëve dhe nga agjërimi. Është interesant të vërehet se Allahu e privilegjoi femrën, nga i sëmuri apo udhëtari, të cilët u liruan nga agjërimi, por jo edhe nga namazi.
Por, kjo gjë nuk nënkupton se ajo është e privuar nga përfitimi i të mirave të Ramazanit në përgjithësi e i Natës së Kadrit në veçanti. Ngjallja e natës, siç përmendet në hadith, nuk ka të bëjë vetëm me faljen e namazit, por edhe me forma të ndryshme të ibadeteve. Nuk ka dyshim se namazi do të ishte mënyra më e preferuar, pasi është përmendur në hadith se “Kush falet Natën e Kadrit, me besim të plotë dhe parallogarit, do t’i falen mëkatet e mëhershme të tij.”
Ajo mund të bëjë dua, e që duaja të njëjtën kohë është ibadet, mund të bëjë dhikër – përmendjen e Allahut duke thënë: “Subhanall-llah, Elhamdulilah, Allahu ekber, La ilahe il-lall-llah” etj. sa herë të dojë. Të gjitha këto janë ibadete të llojit të vet. Sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, mund të reciton pjesë nga Kurani, të cilat i di përmendësh (jo të lexojë drejtpërdrejt prej mus’hafit).
Me këto mënyra femra me menstruacione, aspak nuk do të privohet nga të mirat e asaj nate, pra nëse ajo angazhohet me ibadetet e tjera, përpos namazit.Gatishmërinë që femra e ka për namaze vullnetare, shpresoj ta shpërblejë Allahu për nijetin e saj, duke e dokumentuar ajo vet këtë gjë me veprimet e saj në Ramazanat e tjerë kur ajo është e pastër në atë dhjetëditëshin e fundit.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku