Pyetja:

Kush mund të shkoj në haxh (Bedel) për nënën time e cila nuk mundet të shkojë?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Është një veprim shumë i mirë që ju kujdeseni për prindërit tuaj, që të jenë sa më afër Krijuesit të tyre dhe t’i zbatojnë urdhrat e Tij, prandaj ju përgëzojmë për këtë dhe shpresojmë të vazhdoni ende me këtë pasi i Dërguari i Allahut ﷺ, thotë: “Prindërit janë dera e mesme e xhenetit. Pra, nëse dëshiron, humbe atë derë ose fitoje atë.” (Shënon Tirmidhiu, i cili ka thënë se hadithi është sahih)

Kushejri gjatë komentimit të këtij hadithi ka thënë: “…dera e mesme e xhenetit” ka për qëllim derën më të mirë të xhenetit.”
Pastaj gjithashtu në një hadith tjetër thuhet: “Xheneti është nën këmbët e nënës”.

Motër e nderuar, a ka ndonjë kujdes më të madh se sa të bëheni shkaktare që prindërit tuaj t’i kthehen Zotit të tyre? Prandaj ju këshillojmë që të mundoheni ta mësoni nënën tuaj ta falë namazin brenda mundësive që ka ajo, pasi Allahu është falës dhe nuk e ngarkon njeriun më shumë se sa ka mundësi që të përballojë.
Ndërsa në lidhje me dërgimin e dikujt tjetër në haxh në vend të nënës suaj themi se lejohet, nëse ajo është e moshuar ose e dobët dhe nuk mund të udhëtojë e t`i kryejë ritet të cilat kërkohen gjatë qëndrimit atje.

Personi i cili dërgohet si zëvendës për të kryer haxhin duhet që fillimisht ai vetë ta ketë të kryer haxhin, pastaj ta bëjë këtë për tjetrin. Nuk kërkohet ndonjë kriter tjetër sikurse të jetë i afërm i saj apo diçka tjetër. Me fjalë të tjera, mundet secili musliman ta bëjë këtë, por nëse në vend të tij shkon djali i saj, është më mirë, pasi me këtë krahas kryerjes së borxhit ai edhe tregon mirësjellje ndaj nënës së tij.

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi