Pyetja:

Unë jam 21 vjeçare dhe jetoj në Zvicër. Nuk dua ta kem nafakën me një burrë që jeton në  Maqedoni se tani është bërë shumë vështirë për t’i bërë letrat, mendoj vizën.
Si t’i lutem Zotit në namaze që të ma plotësojë dëshirën që ta kem nafakën me ndonjë që jeton  në Zvicër dhe inshallah të jetë fetar dhe familjar? Apo prapë si e ka shkruar Zoti?

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar, ne në dynja duhet të përpiqemi që ta kërkojmë atë që është më e mira për ne; në fetarinë tonë, dynjanë tonë dhe ahiretin tonë. Për këtë gjë është ligjësuar namazi i istihares, kur nuk e dimë se cila zgjedhje në një veprim është më e mira për ne.

Kështu që edhe për martesën tuaj me djalin që jeton në Zvicër apo atë që jeton në vendlindje, nuk e dimë se ku është më hair për ty. Nëse është më hair djali që është nga vendlindja nuk ke pse ta refuzosh, e nëse është më hair tjetri që jeton në perëndim, atëherë merre atë që është atje.

Mos harro se kriter për t’u martuar me një person për ju si femër si dhe për prindin tuaj duhet të jetë hadithi i të Dërguarit të Allahut ﷺ, ku ka thënë: “Kur ju kërkon dorën e vajzës tuaj, ai që me fetarinë dhe moralin e tij jeni të kënaqur, jepjani vajzën! Nëse nuk veproni kështu, do të ketë çrregullime në tokë dhe çoroditje të mëdha.” [1]

Pra, ta keni dert moralin dhe fetarinë e tij, sepse aty do ta gjeni rehatinë dhe prehjen bashkëshortore, në të kundërtën, nëse feja dhe morali i mungojnë, pa marrë parasysh se ku jeton, sa pasuri ka, sa i bukur është dhe i kujt është, të gjitha këto nuk mund të ta sjellin jetën e rehatshme as për një javë madje.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

———————————–

[1] Tirmidhiu