Pyetja:
A i fshin agjërimi mëkatet e mëdha edhe të vogla të bëra nga një musliman? Dhe a shumëfishohet mëkati i kryer gjatë muajit të Ramazanit?
***
Përgjigjja:
Ajo gjë me të cilën urdhërohet muslimani gjatë muajit të Ramazanit apo dhe në kohët tjera, është që të luftojë me vetën e tij, që është e prirë drejt mëkateve, derisa të qetësohet dhe të jetë i prirë drejt mirësisë.
Muslimanët e kanë obligim që të luftojnë kundër armikut të Allahut, pra shejtanit, deri sa të jenë të sigurt nga pëshpëritjet dhe të këqijat e tij. Në këtë botë, muslimanët janë të angazhuar në një luftë të madhe kundër vetëve e dëshirave të tyre dhe shejtanit. Kështu që, ata duhet të pendohen shpesh dhe të luten për falje gjatë gjithë kohës, edhe pse kohët ndryshojnë nga njëra-tjetra. Andaj, muaji i Ramazanit është muaji më i mirë i vitit, ngase është muaji i faljes, mëshirës dhe shpëtimit nga zjarri.
Nëse muaji dhe vendi është i veçantë, shpërblimet për veprat e mira të kryera në këtë muaj shumëfishohen, edhe pesha e mëkatit për veprat e këqija gjithashtu shumëfishohet. Një e keqe e bërë në muajin e Ramazanit, është më e madhe sesa një e keqe e kryer në një kohë tjetër, ashtu siç një vepër adhurimi e kryer në muajin e Ramazanit sjell një shpërblim më të madh nga Allahu, sesa që ajo të kryhet në një kohë tjetër. Pasi që muaji i Ramazanit ka një status kaq të madh, atëherë edhe një adhurim i kryer në këtë muaj është veçanërisht më shumë i shpërblyer dhe shpërblimi i saj shumëfishohet. Gjithashtu, edhe një mëkat i kryer gjatë këtij muaji është më i keq dhe më i rëndë sesa mëkati i kryer në një kohë tjetër.
Prandaj, muslimani duhet ta shfrytëzojë këtë muaj të bekuar, duke kryer vepra adhurimi e vepra të mira dhe të ndalohet nga veprat e këqija, ashtu që Allahu i Lartësuar ta bekojë atë me pranimin e veprave të mira dhe me ndihmesën e Tij në qëndrimin e tij në rrugën e vërtetë. Por, një vepër e keqe merr vetëm një mëkat dhe nuk shumëfishohet në aspektin e sasisë, as në muajin e Ramazanit dhe as në ndonjë muaj tjetër. Në anën tjetër, shpërblimi për veprën e mirë mund të shumëfishohet nga dhjetë herë e më shumë.
Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar i cili thotë:
“Kushdo që vjen me një vepër të mirë, do të shpërblehet me dhjetëfishin e saj, ndërsa ai që vjen me një vepër të keqe ai do të ketë shpërblim vetëm për atë që ka bërë. Dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.” (En’am: 160)
Ka shumë ajete kuranore që flasin për këtë temë.
E njëjta gjë është edhe me vendet e veçanta, si dy Haremet (dy xhamitë e shenjta, në Mekke dhe në Medine), veprat e mira në këto vende shumëfishohen në cilësi dhe sasi, ndërsa veprat e këqia shumëfishohen në cilësi por jo në sasi, kur ato bëhen në një vend apo kohë të veçantë, sikurse edhe e përmendëm më lartë.
Shejh Ibn Baz, “Mexhmu`ul Fetaua” Vëll 15, fq 447-448