Pyetja:

Jam medresante. A bën që vajza me mbulesë të veshë pantallona edhe pse e dimë mirë që Muhamedi ﷺ, i ka mallkuar ato femra që vishen si meshkuj dhe ata meshkuj që vishen si femra edhe pse shumë profesora po thonë që është e lejuar!

***

Përgjigjja:

Pantallonat e femrave, zakonisht janë të ngushta, i përshkruajnë gjymtyrët e trupit të saj dhe si të tilla, nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara për veshjen e femrës muslimane. Qëllimi i mbulesës është mbulimi i vijave të trupit të gruas duke mos u vërejtur diçka prej trupit të saj. Shumë femra e kanë keqkuptuar mbulesën duke menduar se është vetëm mbulimi i kokës. Andaj dhe poshtë dikush vesh pantallona, ndoshta dhe të ngushtë, kurse lartë ndonjë këmishë të ngushtë, sepse mendojnë se vetëm koka duhet të mbulohet. 

Mbulesa ka konceptin e mbulimit të të gjitha pjesëve të trupit, e nuk është vetëm shami e kokës. Gruaja duhet ta kuptojë atë se mbulesa e saj nuk është për ta zbukuruar atë, siç e kanë keqkuptuar tash. Qëllimi i saj është që kur femra del jashtë, ajo të mos jetë provokim për burrat e huaj me bukurinë e saj. Dijetarët thonë se prej kushteve të mbulesës është që të mos ketë në të stolisje e zbukurime, e as ngjyra tërheqëse (të ndezura, të hapura) që tërheqin sytë e burrave, duhet të jetë e gjerë (që nuk e përshkruan trupin) dhe të mos jetë e tejdukshme.

Allahu e di më së miri!

Hoxhë Muhamed Dërmaku