Pyetja:

Njeriu mund të merret mësysh ashtu siç na ka treguar Pejgamberi, ﷺ. Për shembull unë dyshoj apo më kanë marrë mësysh. A bën t’ia them vetvetes lutjet që janë për mbrojtje?
Mësysh mund të merren edhe objektet, p.sh. unë kam një veturë apo shtëpi të bukur etj.. Çfarë duhet të bëj që t’i mbroj edhe ato nga mësyshi?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nëse dyshoni se keni mësysh, atëherë lejohet të thoni lutjet që janë për mbrojtje, madje shumica e atyre lutjeve janë të parapara të këndohen gjatë ditës për besimtarin, si për shembull suret Ihlas, Felek, Nas, Ajetul Kursija dhe lutje të tjera.

Gjithashtu edhe mësyshi në gjësende, sikurse në veturë, etj., është evident. Ndërsa në lidhje me parandalimin e mësyshit në këto gjëra, Muhamedi, ﷺ, thotë: “Nëse ndonjëri nga ju sheh në veten e tij ose në pasurinë që posedon ose të vëllait të tij diçka që i pëlqen, le të bëjë lutje për begati, pasi marrja mësysh është hak.”  [1]

Pra, forma më e qëlluar është që kur të shohim diçka të bukur dhe magjepsemi, atëherë duhet ta kujtojmë atë duke bërë lutje që vërteton madhërinë e Allahut të Lartësuar ose edhe duke thënë “Mashallah”. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

—————————–

[1] Ahmedi