Pyetja:

A duhet bërë akika për fëmijën jashtëmartesor?

***

Përgjigjja:

Suneti i nxit muslimanët që të ofrojnë akika për të porsalindurin në terma të përgjithshëm, pa kualifikim.

Transmetohet nga Samurah ibn Xhundub se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo fëmijë është peng për akikën e tij, e cila duhet të flijohet për të në ditën e shtatë dhe koka e tij duhet të rruhet dhe atij duhet t’i jepet një emër.” [1]

Transmetohet nga Ummu Kurz se ajo e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ për akikën dhe ai tha: “Për një djalë dy dele dhe për një vajzë një dele”. [2]

Fëmija jashtëmartesor përfshihet në kuptimin e përgjithshëm të këtyre haditheve, ndaj atij duhet t’i ofrohet akika. Ashtu siç është emëruar sipas nënës së tij, nëna e tij duhet të ofrojë akika për të.

Shejh bin Bazi (Allahu e mëshiroftë) u pyet:

A i lejohet nënës që të ofrojë akika për fëmijën e saj jashtëmartesor dhe a ka të drejtë ta mbajë atë fëmijë? Ai u përgjigj: Po, ajo mund të ofrojë akika dhe inkurajohet që të ofrojë akika për fëmijën e saj dhe ajo është e detyruar të shpenzojë për ushqimin e tij nëse ka mundësi ta bëjë këtë. Nëse ajo nuk mund ta bëjë këtë, fëmija duhet të dorëzohet në jetimoret e sponsorizuara nga shteti. Por nëse ajo është në gjendje ta bëjë këtë, duhet ta rrisë atë, të kujdeset për të dhe të ofrojë akika për të. Ajo është e obliguar ta edukojë atë dhe të pendohet tek Allahu për atë që ka bërë dhe fëmijës duhet t’i vihet mbiemri i saj.

Ai që ka bërë zina duhet të pendohet, por ai nuk është i detyruar të shpenzojë për mbajtjen e fëmijës dhe fëmija nuk konsiderohet i tij, pasi ai është i jashtëligjshëm. Ai duhet të pendohet tek Allahu, por fëmija është i gruas dhe duhet të emërohet me mbiemrin e saj, dhe ajo duhet të shpenzojë për mbajtjen e tij. [3]

Allahu e di më së miri.

islamqa.info

——————————————-

[1] Ebu Daudi (2838) dhe et-Tirmidhiu (1522); klasifikuar si sahih nga al-Albani në Irwa’ el-Ghaleel (4/385).

[2] Transmetohet nga Tirmidhiu (1516); ka thënë: Është hadith sahih.

[3] Përfundimi i citimit nga Mexhmu’ Fetaua esh-Shejh ‘Abd al-‘Aziz ibn Baaz (28/124).