Pyetja:

Kur një person fal namaz sunet (dy rekate) para namazit të sabahut apo (cilitdo namaz) tjetër pos namazit të sabahut dhe, ndërsa e bën këtë, thirret ikameti për namaz dhe ai hala nuk e ka kryer sunetin e tij, a duhet ai ta ndërpresë namazin e tij që të falet me imamin, apo duhet ta përfundojë sunetin e tij (së pari)?

***

Përgjigjja:

Parimi në këtë çështje është thënia e Pejgamberit ﷺ: “Kur të thirret ikameti për namaz, s’ka namaz tjetër pos farzit.” [1] Nga ky hadith na bëhet e qartë se namazi sunet anulohet vetëm me faktin se namazi farz ka nisur. Por, dijetarët kanë dalluar se a është ky hadith i përgjithshëm, pa përjashtime, dhe a mundet të kuptohet që në disa rrethana personi mund të vazhdojë (të falet) për të përfunduar namazin sunet dhe pastaj t’i bashkohet namazit me xhemat. Ajo çfarë unë shoh (si përgjigje) bazuar në atë që kam lexuar nga libri i Neveviut [2] është se ajo çfarë mendohet me këtë hadith është inkurajimi i muslimanit i cili fal namaz të vullnetshëm që ta zërë namazin farz me imamin nga fillimi, dmth të mos i ikën thënia e parë Allahu ekber (tekbiretul- ihram) e cila e nis namazin. Pra, nëse thirret ikameti për namazin farz dhe personi është duke falur namaz të vullnetshëm në uljen (teshehudin) e fundit para selamit dhe krejt çka ka mbetur është të japë selam dhe ai mendon se do ta mbërrijë tekbirin e parë, atëherë ai mund ta përfundojë namazin e tij, qoftë edhe vetëm me selamin e parë (në të djathtë).

Në anën tjetër, nëse ai e thotë tekbirin për të nisur namazin sunet të namazit të sabahut, për shembull, dhe njëkohësisht thirret ikameti për namazin farz ashtu që, sikur ai të vazhdonte
derisa të përfundonte namazin e tij sunet, atij së paku do t’i ikte tekbiri i parë, atëherë ai duhet ta ndërpresë namazin e tij, dmth pa dhënë selam. Dhe mes këtyre situatave ka shumë të tjera. Përmbledhtas, personi që fal namaz të vullnetshëm ndërsa thirret ikameti, duhet të mundohet të vlerësojë se, nëse do të vazhdojë, a do ta mbërrijë tekbirin e parë, apo jo. Nëse vlerëson se do ta mbërrijë, le ta përfundojë namazin dhe le ta falë të shkurtër; nëse vlerëson se do t’i ikën tekbiri i parë i cili e nis namazin, le ta ndërpresë namazin dhe t’i bashkëngjitet safit.

Shejh Albani, “El-Mesa’il el-Ilmije uel-Fetawa esh-Sher’ijje”

——————————–

[1] Muslim nr.1644

[2] Mexhmu