Pyetja:

A e prish abdesin derdhja e bardhë, e cila del nga gruaja?

***

Përgjigjja:

Pas hulumtimit të çështjes, më duket që derdhja e cila del nga gruaja, nëse nuk del nga fshikëza e urinës por del nga mitra, atëherë është e pastër, por kjo e prish abdesin, edhe nëse është e pastër, sepse s’është thelbësore për gjënë që e prish abdesin të jetë ndyrësirë (nexhis). Gazi që del nga anusi, nuk është i dukshëm, por, megjithëkëtë, e prish abdesin. Bazuar në këtë, nëse kjo derdhje del nga një grua dhe ajo ka abdes, atëherë abdesi i saj prishet dhe ajo duhet të marrë abdes; nëse kjo derdhje është e vazhdueshme, atëherë nuk e prish abdesin, por ajo s’duhet të marrë abdes për namaz, derisa të hyjë koha për namaz. Pastaj, ajo mund të falë namazet e detyrueshme dhe të vullnetshme, të lexojë Kuran dhe të bëjë çfarë të dojë nga gjërat e lejueshme, siç kanë thënë dijetarët në lidhje me atë që vuan nga mosmbajtja e urinës. Ky është vendimi mbi këtë derdhje sa i përket pastërtisë: kjo është e pastër dhe nuk e ndyn veshjen apo trupin. Për sa i përket vendimit në lidhje me abdesin: kjo e prish abdesin, përveç nëse është e vazhdueshme. Nëse është e vazhdueshme, e prish abdesin, por gruaja nuk e ka të detyrueshme marrjen e abdesit për cilindo namaz, derisa të hyjë koha e tij, dhe ajo duhet të mbartë tamponë. Por, nëse kjo derdhje shkon e vjen, dhe, zakonisht, ndalet gjatë kohëve të namazit, atëherë ajo duhet ta vonojë namazin, derisa t’i ndalet, për sa kohë që nuk frikësohet nga përfundimi i kohës së namazit. Nëse ka frikë për përfundimin e kohës së namazit, atëherë ajo duhet të marrë abdes, të vë tampon dhe të falet. Nuk ka dallim nëse është sasia e paktë apo e shumtë, sepse e tëra vjen nga i njëjti vend. Dhe sasia e paktë apo e shumtë e saj, e prish abdesin. Për sa i përket besimit të disa grave se kjo nuk e prish abdesin, nuk di të ketë ndonjë bazë për këtë, përveç opinionit të Ibn Hazmit, i cili ka thënë se abdesi nuk prishet nga kjo, por ai s’ka përmendur ndonjë dëshmi për këtë. Po të kishte ndonjë dëshmi nga Kurani, apo nga Suneti, apo nga thëniet e Sahabëve, kjo do të ishte dëshmi. Gratë duhet t’i frikësohen Allahut dhe të përpiqen e ta pastrojnë vetveten, sepse namazi nuk pranohet pa pastërti, edhe nëse një grua falet njëqind herë. Madje, disa dijetarë thonë që, ai i cili falet pa qenë i pastër, është mosbesimtar/kafir, ngaqë kjo është një tallje me Shenjat e Allahut.

Shejh Ibn Uthejmin, “Mexhmu Fetaua” 1/284-286