Pyetja:

A është e lejuar të merren para me fajde?

***

Përgjigjja:

Fajde apo kamatë do të thotë shtesë e pasurisë e kushtëzuar në marrëveshje, pa kompensim, gjatë këmbimit të një pasurie me një tjetër.

Islami e ka ndaluar kamatën në të gjitha llojet, format dhe ngjyrat e saj sepse ajo përbën një fitim të pistë dhe pasuri të ndaluar, pasuri të cilën të pasurit kamatdhënës e marrin nga të varfrit nevojtarë pa të drejtë, pa mundim dhe pa punë. Kamata është e ndaluar në Kuran, Sunet dhe me ixhma (mendim unanim të dijetarëve). Allahu i Lartësuar thotë:

O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj – askënd nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni.” (Bekare: 278- 279)

Pra, aq i madh dhe aq i shëmtuar është mëkati i kamatës, saqë kush merr pjesë në transaksionet me kamatë i ka shpallur luftë Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ.

Çdokush që bashkëpunon me kamatë konsiderohet se është në luftë me Allahun xh.sh.. Pa asnjë dyshim humbësi në këtë luftë është ai që merret me kamatë, ngase do të jetë i poshtëruar në këtë botë dhe i dënuar me zjarrin e xhehenemit në botën tjetër. Allahu i Lartësuar i përshkruan ngrënësit e kamatës në formën më të trishtuar, kur thotë:

”Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) Kështu ngase thanë: “Shitblerja nuk është tjetër, pos njësoj sikurse edhe kamata!” E Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalur (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet tek Allahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë. Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë besëprerë dhe mëkatar.” (Bekare: 275-276)

Për të kuptuar ligësinë e kamatës dhe rrezikun prej saj, i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: ”Kamata ka shtatëdhjetë e tre dyer-lloje, më e lehta është sikur njeriu të bëjë marrëdhënie (zina) me nënën e tij. Me të vërtetë kamatë e kamatave (mëkat edhe më i madh se kaq) është nderi i muslimanit (ta prekësh në nder njeriun).” [1]

Ebu Hurejra gjithashtu transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të vijë një kohë për njerëzit kur do të hanë kamatën.” Ebu Hurejra pyeti: “A të gjithë njerëzit?” Ai ﷺ tha: “Ai që nuk do të hajë prej (kamatës), do të marrë prej pluhurit të saj.” [2]

Pejgamberi ﷺ, ka paralajmëruar se do të vijë kjo kohë, ndërsa ne sot jemi dëshmitarë dhe po e përjetojmë këtë kohë, ngase aq shumë janë përhapur transaksionet me kamatë, saqë nuk ka shpëtuar prej saj përveç atij që Allahu e ka mëshiruar.

Duke u bazuar në këto argumente dhe shumë të tjera, të gjithë ulemaja islamë kanë rënë në konsensus se kamata është haram dhe se marrja apo dhënia e parave me fajde (kamatë) është ndër haramet më të mëdha që mund të bëjë njeriu dhe se personi i tillë i ka punët shumë keq te Zoti i Madhëruar.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Hakimi në Mustedrek, nr. 2259, apo fq. 2/37, dhe ka thënë: “Hadithi është sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit”. Me këtë është pajtuar edhe Dhehebiu. Shiko: Sahih el-Xhami, nr. 3539

[2] Ebu Davudi, nr. 3331; Ibn Maxhe, nr. 2278. Albani ka thënë: “Hadithi është i dobët”. Bejhekiu në Kubra, 5/275.