Pyetja:

Në dhomën e gjumit e kam një Kuran në të dy gjuhët, arabisht dhe të përkthyer në shqip të cilin e lexoj. A është e ndaluar ta mbajë në dhomën e gjumit?

***

Përgjigjja:

Së pari të uroj për leximin e Kuranit, dhe duhet të mundohesh ta mësosh leximin edhe në original në gjuhën arabe, sepse ka shumë shpërblime për atë që e lexon Kuranin, gjegjësisht i Dërguari i Allahut ﷺ thotë: “Për një shkronjë që lexohet, ka dhjetë sevape.”

Poashtu, leximi nuk duhet të mbetet vetëm lexim, por duhet të mësojmë nga leximi, të marrim këshilla dhe të veprojmë sipas asaj që e lexojmë.

Duhet të lexojmë, të kuptojmë dhe të nxjerrim mësime nga ajetet Kur’anore dhe të veprojmë në bazë të asaj që thotë Kurani.

Për sa i përket vënies së mus’hafit në dhomën e gjumit, parimisht kjo nuk është e ndaluar, nëse nuk vëhet në ndonji vend të ulët ku mund t’u nënshtrohet nënçmimeve, si të shkelet me këmbë, apo të rrëzohet në tokë nga fëmijët etj. Nëse e mban, duhet ta vesh në vend më të lartë, sepse Kuranin duhet respektuar edhe në këtë drejtim. Poashtu, mos të jetë në ndonjë vend, që kur të shtrihet njeriu, këmbët t’i arrijnë te Kur’ani.

Edhe përskaj kësaj mos ndalese, unë mendoj se më e arsyeshme, për t’u ikur nënçmimeve të mundshme të Kuranit, është ai të vëhet në raftet e librave, pra në vendin e vaçantë ku janë librat, apo në dhomën e librave, sepse në këtë mënyrë ka përkujdesje më të madhe ndaj vetë Kuranit.

Allahu e di më së miri.

Mr. Bashkim Aliu