Ky është shkrimi që po përhapet:

“Pse namazi fillon me duanë ‘Subhaneke’?
Allahu i Madhëruar e krijoi Arshin (Fronin) dhe i urdhëroi melekët ta bartin atë. Arshi ishte shumë i rëndë për ta, prandaj melekët iu drejtuan Allahut me këtë lutje:
‘Subhaneke Allahumme ve bi hamdik’ (I Famshëm je vetëm Ti, o Allahu im! Dhe lavdia të qoftë Ty!) ‘Ve tebârekesmuk’ (Emri Yt është i bekuar) ‘Ve teâlâ xhedduk’ (Madhështia dhe lartësia Jote janë të pakufishme) ‘Ve lâ ilâhe gajruk’ (Përveç Teje nuk ka zot tjetër)
Me ndihmën e kësaj duaje, melekët fituan forcën për ta bartur Arshin. Edhe namazi është një përgjegjësi e madhe; për ta kryer atë nevojitet forcë.”

 

Sqarimi rreth kësaj çështjeje:

Historia që përmendet për fillimin e namazit (dhe gjithashtu historia për engjëjt dhe mbajtjen e Arshit) se filloi me lutjen “Subhaneke” (Lavdia të qoftë Ty), nuk është autentike në zinxhirin e saj të transmetimit dhe nuk ka bazë në Sunetin autentik. Përkundrazi, është nga Isra’ilijetet (histori me origjinë hebraike).

Lutjet autentike fillojnë me madhërim dhe lavdërim (Subhaneke Allahumme ue bihamdike…), por jo të bazuara në këtë transmetim specifik. Madhërimi në namaz është një akt nderimi ndaj Allahut dhe një kërkesë për ndihmën e Tij, jo një rezultat i drejtpërdrejtë i historisë së mbajtjes së Arshit.

Të fillosh me “Subhaneke Allahumme ua bihamdike” është një akt i lavdërimit të Allahut, duke deklaruar se Ai është i Pastër dhe i Përsosur, e vetëm Atij i kërkohet ndihmë. Kjo lutje është e përshkruar dhe e rekomanduar për ta filluar namazin, por jo për shkak të historisë së lartpërmendur.

Shkurt e qartë: Historia e lartpërmendur nuk është autentike. Lavdërimi i Zotit në lutje ka një bazë legjitime në Sheriatin Islam si një shprehje e lavdërimit dhe madhërimit, por jo për shkak të kësaj historie.

/Hoxhë Kastriot Bardhi/


E rëndësishme: Meqenëse ky shkrim po përhapet masivisht, ju lutemi ta ndani këtë sqarim me të tjerët. Është detyrë e jona që t’i ruajmë vlerat tona fetare nga historitë e paargumentuara dhe ta përcjellim fenë ashtu siç është e saktë.