Pyetja:

A është mëkat të ndahemi nga prindërit pasi që të martohemi?

***

Përgjigjja:

Kur burri martohet, ai formon familje te re ndaj të cilës ka detyrime ashtu si edhe ndaj prindërve kur ata janë të moshuar dhe nuk kanë njëri tjetër që t’i mbajë. Nuk është mëkat që të ndahesh nga prindërit kur martohesh, madje gruaja ka të drejtën që të kërkojë banesë të veçantë qoftë edhe me qira, por që të jetë banesa e saj ku mund ta bëjë jetën e qetë dhe ku të edukojë e qetë femijët e saj dhe të burrit të saj, dhe ajo nuk ka asnjë lloj detyrimi ndaj njerëzve të burrit përveç nëse bën diçka si bindje ndaj burrit dhe për kënaqësi të tij, apo si mirësi nga vetja e vet dhe me dëshirën e vet, por jo me detyrim. Kurse vetë burri është ai që ka detyrime ndaj prindërve të vetë nëse ata janë në nevojë për të, me aq sa ai të mundet. Këto gjëra duhet të bëhen të qarta në vendet tona, ku ende zotërojnë zakonet e bëra nga njerëzit dhe ku çiftet e reja të sapomartuara apo edhe ato të martuara prej vitesh vuajnë për shkak të këtyre zakoneve ndërkohë që e gjithë kjo vuajtje nuk është e nevojshme, por thjesht për shkak të zakonit apo të qefit të dikujt prej familjes duke shkelur të drejtat e të tjerëve, e në këtë rast të gruas dhe fëmijëve të djalit, i cili ka formuar tashmë familje të re, ndaj të cilës ka detyrime, madje që i kalojnë ato ndaj prindërve, siç është edukimi dhe rritja, kurse ndaj prindërve ka detyrim ushqyerjen dhe veshmbathjen nëse ata janë në nevojë, si dhe bindjen kur ata nuk e urdhërojnë për diçka të ndaluar apo për shkeljen e të drejtave të të tjerëve. Pra, në Islam ka drejtësi dhe secili ka të drejtat dhe detyrimet e veta ndaj te tjerëve. Secilit duhet t’i jepet haku dhe e drejta që i takon, pa shkelur të drejtat e të tjerëve.

E Allahu e ka në dorë suksesin.

Alaudin Abazi