Pyetja:

A është prej sunetit ngritja e duarve për dua mes ezanit dhe ikametit?

***

Përgjigjja:

Lutja është diçka për të cilën jemi nxitur, sidomos në kohën kur ajo pranohet. Mes ezanit dhe ikametit lutja nuk refuzohet, siç ka ardhur në traditën profetike. Prandaj kur muslimani fal dy rekate dhe pas tyre dëshiron të lutet, në këtë gjë s’ka problem. Dmth të ngrejë duart gjatë lutjes, sepse ngritja e duarve kur lutemi është prej edukatave të duasë. Argumenti për këtë veprim është se Profeti ﷺ një herë ishte me shokët e tij – Allahu qoftë i kënaqur me ta – dhe kaloi pranë një xhamie. Hyri në xhami, fali dy rekate pastaj u lut. Pasi mbaroi u tha sahabëve: “I kërkova Allahut tri gjëra…” [1] Dhe nga kjo përfitojmë se ngritja e duarve pas dy rekateve nafile që i fal në xhami nuk ka problem të veprohet, për shkak të veprimit të saj nga ana e Profetit ﷺ dhe veprimit të kësaj gjëje nga të parët tanë.

Por ka prej dijetarëve që thonë se vazhdimësia në këtë veprim nuk ka argument nga suneti. Dmth që sa herë që të falet të ngrejë duart dhe të lutet. Ka ardhur në sunet që kjo mund të bëhet, por nuk ka vazhduar ta bëjë këtë gjithmonë. Prandaj më e mira është që ta bëjë këtë gjë disa herë dhe ta lerë herë të tjera. Përndryshe duaja mes ezanit dhe ikametit shpresohet që të pranohet nga Allahu.”

Shejh Salih Al esh Shejh

Përktheu: Unejs Sheme

———————————

[1] Muslimi