Pyetja:
A i lejohet muslimanit të mburret me përkatësinë e tij kombëtare duke i nënvlerësuar të tjerët?
***
Përgjigjja:
Kjo nuk lejohet në Fenë Islame. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Më i nderuari prej jush është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (Huxhurat: 13)
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O njerëz, Zoti juaj është Një, babai juaj është një, dijeni se arabi nuk ka dallim me joarabin, as joarabi me arabin, as i kuqi me zezakun dhe as zezaku me të kuqin, përveçse në devotshmëri” [1]
Në Islam nuk lejohet që të nënçmohen popujt dhe kombet e tjerë. Allahu i Madhëruar ka thënë: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira, se ato që përqeshin(duke e nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë.” (Huxhurat: 11)
Me rëndësi është udhëzimi në Fenë Islame, siç ka thënë Pejgamberi ﷺ: “Më i miri që ka qenë gjatë injorancës, do të jetë më i miri në Islam, nëse e kuptojnë mirë këtë fe”. [2]
Pejgamberi ﷺ, ndërmjet sahabëve të tij kishte Bilalin, që ishte nga Etiopia me racë të zezë dhe ishte myezini i Pejgamberit. Kishte Selman Farisiun që ishte persian, kishte Suhejb Rumin që ishte bizantin, kishte Abdullah ibën Selamin me prejardhje çifute, kishte gruan e tij Marije Kibtijen, që ishte nga koptët egjiptianë, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————
[1] Sahih ligajrihi, shih: Sahihu Tergib nr. 2964
[2] Sahih, shih: Sahihul Xhami nr. 3267