Pyetja:
Një motre besimtare i ka ndërruar jetë bashkëshorti, dhe ka lënë 7 fëmijë, midis tyre edhe vajza në moshë adoleshente. Më pas është martuar me një vëlla besimtar dhe ky vëllau (burri) ka fëmijë me gruan e parë midis tyre dhe djem. Pyetja ime qëndron: Çfarë gjykimi ka qëndrimi bashkë mes fëmijëve (vajzave dhe djalit) në këtë rast?
***
Përgjigjja:
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
Së pari, sa të përket ty personalisht, e ke hallall qëndrimin me cilindo prej fëmijëve të burrit me të cilin je martuar, qoftë i mitur apo në moshë madhore (pas pubertetit), ngase Allahu ka ndaluar që fëmijët të martojnë gruan e babait të tyre, siç thotë Allahu në Kuranin Fisnik: “Mos u martoni me ato gra që kanë qenë gratë e baballarëve tuaj, përveç rasteve që tashmë kanë kaluar. Vërtet, kjo është vepër e keqe dhe rrugë e shëmtuar.” (Nisa, 22)
Por, fëmijët e burrit tënd të dytë, djemtë dhe vajzat që janë në moshë madhore, e të cilat nuk kanë pirë qumësht gjiri nga gruaja e dytë (në këtë rast ti), nuk lejohet që të zbulohen para fëmijëve të tu, e as anasjelltas, dhe kanë të drejtë martese ndërmjet vete, ngase mes tyre nuk ka vëllazëri gjaku apo qumështi, gjegjësisht nuk ekziston lidhje që i bën të afërt me njëri-tjetrin, kjo sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Lidhjet nëpërmjet gjidhënies i ndalojnë gjërat sikurse lidhjet nga gjaku.” [1]
Duke shpjeguar një “diagram” të tillë, dijetari i njohur Kesani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “I lejohet një burri ta martojë motrën e vëllait të tij nga babai, i cili është vëlla nga gjaku, dhe kjo si në vijim: Gruaja tjetër e babait të tij lind një djalë, por ajo grua ka edhe një vajzë nga burri paraprak, e rrjedhimisht, kjo është motra e vëllait të tij nga babai, andaj i lejohet që të martohet me të.” [2]
Allahu e di më së miri!
Hekuran Helshani
—————————————
Comments are closed.