Pyetja:

A ju pranohet namazi grave që falen në xhami ndërsa s’mund ta shohin imamin apo burrat që falen mbrapa imamit, por mund ta dëgjojnë vetëm zërin e tij?

***

Përgjigjja:

Është e lejueshme për gratë e, po ashtu, edhe për burrat të falen me xhemat në xhami, edhe nëse s’mund ta shohin imamin apo adhuruesit tjerë që falen mbas tij, nëse ka mundësi të pasohet imami. Nëse tingulli i zërit të tij mbërrin te gratë, aty ku ato gjenden, në xhami, atëherë është në rregull që ato të falen me xhemat me imamin, sepse krejt ai është një vend dhe ka mundësi që imami të pasohet qoftë edhe nëpërmjet altoparlantëve apo duke e dëgjuar zërin e imamit drejtpërdrejt, si dhe duke e dëgjuar zërin e personit që i përcjell tekbiret e imamit. S’ka problem nëse ato nuk e shohin imamin apo njerëzit që falen mbas tij. Disa dijetarë e kanë bërë kusht që të shihet imami apo njerëzit mbas tij, nëse ai që falet, gjendet jashtë xhamisë. Fukahatë (juristët islam) thonë që namazi është i vlefshëm, nëse personi falet jashtë xhamisë dhe e sheh imamin apo adhuruesit mbas tij. Por, mendimi i saktë, sipas meje, është se nuk lejohet që personi të pasojë imamin nga jashtë xhamisë, edhe nëse e sheh atë, nëse ka vend brenda xhamisë për t’u falur. Por, nëse xhamia është e mbushur dhe, ata që janë jashtë, falen me imamin dhe mund ta pasojnë atë, atëherë mendimi i saktë është se atyre u lejohet të pasojnë imamin, qoftë kur e shohin, qoftë kur s’e shohin, nëse safat janë të pandërprerë. Për të shpjeguar këtë më tej, them:
Së pari, nëse personi është brenda xhamisë, atëherë pasimi që ai i bën imamit është i
vlefshëm në krejt rastet, qoftë kur e sheh imamin, qoftë kur nuk e sheh; qoftë kur i sheh
adhuruesit mbas imamit, qoftë kur nuk i sheh, sepse krejt kjo është një vend. Për shembull, nëse adhuruesi falet në katin e epërm apo të poshtëm ndërsa imami gjendet lart apo ka pengesë mes tyre, siç është muri apo perdja.
Së dyti, nëse adhuruesi është jashtë xhamisë dhe ka vend brenda xhamisë, pasimi që ai i bën imamit s’është i vlefshëm, qoftë kur e sheh imamin dhe ata mbas tij, qoftë kur nuk e sheh, sepse është e nevojshme që xhemati të jetë në një vend.
Së treti, nëse ai s’mund të gjejë vend në xhami dhe falet jashtë xhamisë, atëherë, nëse safat janë të pandërprerë, pasimi që ai i bën imamit është i vlefshëm, edhe nëse nuk e sheh atë, sepse safat e pandërprerë bëjnë që të jetë sikur ai të ishte brenda xhamisë.

Shejh Ibn Uthejmin, “Mexhmu Fetua” [15/213]