Pyetja:

Es-Selamu Alejkum, dëshiroj të pyes nëse ka mundësi që të më përgjigjeni rreth HATMAVE dhe JASINAVE që këndohen për të vdekur. A është e lejuar të këndohet apo jo? Nëse po, çfarë është argumenti? Nëse jo, çfarë është argumenti?

Përgjigjja:

Kurani në përgjithësi është dërguar për njerëzit e gjallë. Ky libër është libër i udhëzimit, obligimeve dhe këshillave. Andaj, këto gjëra nuk vlejnë për njeriun e vdekur.

All-llahu subhanehu ve teala në suren Jasin thotë:
“36:70. Për t’ia tërhequr vërejtjen atij që është i gjallë (me mend e zemër) dhe dënimi të bëhet meritë për jobesimtarët.”
Pra, në mungesë të shpirtit dhe mendjes, njeriu nuk mund të përfitojë nga ky Kuran, sepse i drejtohet atij që ka shpirt dhe atij që ka mend, sikurse përmendet në shumë ajete të Kuranit.

Njerëzit në mungesë të adhurimeve dhe zbatimit të urdhrave të All-llahut, mendojnë se kanë mundësi të ikin nga përgjegjësia duke bërë disa vepra, sipas tyre, që mund t’u lehtësojnë gjendjen në varr dhe pas ringjalljes. Mirëpo, kjo ikje më tepër është iluzion se sa realitet, utopi e jo vërtetësi.

Kurse Pejgamberi alejhisselam thotë:
“Kur të vdes njeriu, ndërpriten të gjitha veprat, përveç tri gjërave: sadakaja e rrjedhshme; dituria nga e cila ka dobi dhe fëmija i mirë që lutet për të.” (Muslimi).

All-llahu subhanehu ve teala në suren Nexhm thotë:
“53:38. (Që në to shkruan) Se askush nuk e bartë barrën e (mëkatit) tjetrit. 53:39. Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar. 53:40. Dhe se mundi i tij më vonë (ditën e gjykimit) do të shihet.”

Faktet që i kemi përmendur janë të mjaftueshme për të kuptuar se leximi i hatmeve dhe jasinave nuk është për të vdekurit, por është për ata që janë gjallë. All-llahu e di më së miri.

Bekir Halimi