Pyetja:

A lejohen ndejat dhe bisedat me koleget femra të punës?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshiruesit!

Nuk lejohet të vetmuarit me një person të gjinisë së kundërt me të cilin nuk ke lidhje farefisnore të afërt, gjegjësisht nëse nuk e ke mahrem. E as nuk lejohet që të dalësh dhe të bësh muhabet me të, përveç nëse ke nevojë ta pyesësh për diçka në lidhje me tregtinë që ka të bëjë me ju të dy, duke pasur kujdes që posa të mbarojë ajo domosdoshmëri, të ndaheni. Pejgamberi ﷺ na ka treguar se kur dy persona të gjinisë së kundërt vetmohen, i treti i tyre është shejtani. Vini re! Nëse vendi ku ti bisedon me një person të gjinisë së kundërt është në rrugë, para dyqanit, ku në vazhdimësi ka qarkullim të njerëzve, atëherë kjo nuk konsiderohet se je vetmuar me të, por nuk të lejohet të komunikosh me të përveç aq sa ke nevojë, sepse mashkullit nuk i lejohet ta prek femrën dhe anasjelltas, andaj qëndrimi afër saj mundëson prekjen dhe me shumë gjasë nxit tek mashkulli ndjenjat mashkullore duke e rrezikuar seriozisht atë që të bie në imoralitet. Shejtani i mallkuar rrjedh nëpër damarët e njeriut dhe është gjithmonë në “top-formë” për t’i nxitur besimtarët në punë të këqija, e veçanërisht në amoralitet. Askush nuk është imun ndaj kurtheve të shejtanit, madje as besimtarët e devotshëm, por ajo që i ruan ata është vetëm strehimi dhe mbështetja tek Allahu. Për këtë arsye Allahu na ka këshilluar në Kuran që vazhdimisht tek Ai të mbështetemi të na ruajë nga kurthet e shejtanit dhe na ka urdhëruar që kurrsesi të mos i afrohemi zinasë (imoralitet), gjegjësisht, të mos i afrohemi komunikimit me gjininë e kundërt që nuk i kemi të afërt, e po ashtu Pejgamberi ﷺ na ka mësuar që të strehohemi tek Allahu nga mashtrimet e kurthet e shejtanit. Njëherë, teksa Pejgamberi ﷺ ishte në ditët e haxhit duke ecur bashkë me djalin e xhaxhait të tij Fadël ibn Abasin, një grua e cila shquhej me bukuri, erdhi për ta pyetur diçka Pejgamberin ﷺ për një nevojë të sajën, me ç’rast Fadli ia nguli sytë asaj. Pejgamberi ﷺ ia kapi kokën e tij me dorë dhe ia ktheu në anën tjetër. E çfarë të themi nëse ai do të fillonte të bënte muhabet me të!?… Pra, duhet të kemi kujdes shumë në raportet tona me gjininë e kundërt dhe gjithmonë të jemi syçelë, ngase kjo është pika më e dobët e mashkullit, e nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë pasojat mund të jenë vërtet të mëdha. Allahun e Madhëruar e lusim të na ruajë nga imoraliteti dhe kontaktet e panevojshme me gjininë e kundërt! Vetëm tek Ai mbështetemi, duke ia shfaqur vetëm Atij pafuqinë tonë dhe dobësinë tonë!
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

Hoxhë Hekuran Helshani