Pyetja:

Jam femër dhe i heqi vetullat. Në këtë gjendje a më pranohet falja e namazit?

***

Përgjigjja:

Së pari duhet theksuar se heqja e vetullave për femrat është e ndaluar. Këtë e ka konfirmuar vetë i Dërguari i Allahut ﷺ në hadithet e tij. Transmenton Ibën Mes’udi se ka thënë: “Allahu i mallkoftë ato që bëjnë tatuazh dhe ato gra që kërkojnë t’u bëhet tatuazh, ato gra që i marrin vetullat dhe ato që kërkojnë t’u bëhet kjo, dhe ato që i ndajnë dhëmbët për shkak të bukurisë, të clat e ndrrojnë krijaturën e Allahut të Madhërishëm.” Pastaj Ibn Mes’udi tha: “Pse të mos e mallkoj atë që e ka mallkuar i Dërguari i Allahut ﷺ.” [1]

Krahas aspektit fetar, heqja e vetullave nuk është e preferuar edhe në aspektin shëndetësor. Çdo gjë që ka krijuar Allahu i Madhërishëm në trupin e njeriut, e ka qëllimin dhe funksionin e vet. Nëse çrregullohet, dëmtohet edhe vetë njeriu. Edhe vetullat e kanë funksionin e tyre në mbrojtjen e syrit. Për atë, çrregullimi i tyre përmes heqjes, do të jetë i dëmshëm për trupin e njeriut.

Për këtë, çdo femër muslimane duhet që të largohet nga ky veprim i cili është i ndaluar nga aspekti fetar.

Ndërkaq, për sa i përket namazit, normalisht se namazi pranohet nëse falet sipas rregullave. Heqja e vetullave është mëkat, por kjo nuk do të thotë se edhe namazi nuk të pranohet. Ti duhet të falesh, ashtu siç lyp Allahu i Madhërishëm, e besoj se namazi do të largojë edhe nga ky veprim që është i ndaluar. Kjo, ngase namazi i cili falet sipas rregullave, të ndalon dhe të largon nga gjërat e ndaluara fetarisht.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

—————–

[1] Buhariu