Pyetje:
“Kam hasur disa jobesimtarë që jetojnë në Katar, Bahrejn dhe në vende të tjera myslimane, dhe i kam parë duke përdorur fjalë si “inshaAllah” dhe “elhamdulilah” gjatë bisedave me myslimanët.

A është e lejuar dhe e pranueshme kjo, pasi ata mendojnë se janë vetëm shprehje gjuhësore, asgjë më shumë?

Duke u bazuar në këtë teori, a mundem unë si mysliman ta përshëndes një hindu duke i thënë “namaste”?”

Përgjigjja:
Falemnderimet dhe lavdërimet i takojnë All-llahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç All-llahut, dhe se Muhamedi ﷺ është robi dhe i Dërguari i Tij.

Nuk është e lejuar të përdoret përshëndetja “Namaste”, sepse ajo është pjesë e ritualeve fetare hinduse dhe për rrjedhojë përfshin imitimin e jobesimtarëve në çështje që janë të veçanta për ritet e tyre fetare.

Është transmetuar se Profeti ﷺ ka thënë:

“Kush i ngjan një populli, është prej tyre.”

Përveç kësaj, kjo përshëndetje përfshin edhe përkuljen, e cila është gjithashtu e ndaluar. Prandaj, nuk është e lejuar ta përdorësh këtë përshëndetje, madje edhe nëse nuk përfshin përkulje fizike, sepse përfshin imitimin që u përmend më sipër.

Nuk është kusht që njeriu të ketë qëllim imitimi që të ndalohet diçka; përkundrazi, është e ndaluar të imitosh jobesimtarët edhe nëse nuk e ke këtë qëllim.

Ibn Tejmije (rahimehullah) ka thënë për imitimin e jobesimtarëve:

“Muslimanit nuk i lejohet të bëjë diçka që është veçanërisht e tyre, qoftë me qëllim për t’i imituar apo jo, edhe nëse e bën nga zakoni që është mësuar.”

Ibn Uthejmini (rahimehullah) ka thënë:

“Nëse ekziston imitimi, atëherë kjo është e ndaluar, dhe gjykimi i saj si e ndaluar mbetet i vlefshëm, qoftë njeriu e bëri me qëllim apo pa qëllim.”

Natyrisht, kjo nuk mund të krahasohet me shprehjet islame që ndonjë jobesimtar mund t’i përdorë si “Insha-Allah” ose “Elhamdulilah”, sepse ato janë shprehje të së vërtetës, ndërsa “Namaste” është shprehje e lidhur me të pavërtetën (shirkun).

All-llahu e di më së miri.

Burimi: islameweb.net / Solli në gjuhën shqipe pergjigjen.net

 

C’ka dmth namaste: Namasti është fjala Sanskrite që do të thotë nga kuptimi gjuhësor: përkulet para teje.

Dhe kuptimi i saj në kontekstin e përshëndetjes është: (Zoti që është tek unë përshëndet zotin që është tek ju)!