Pyetja:

A lejohet studimi i shkencave politike?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, përshëndetjet, lëvdatat të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ.
Fillimisht duhet ta dimë që, kërkimi i dijes dhe arritja e saj, është ndër parimet bazë në të cilat fuqishëm nxit feja Islame. Fjala e parë që është zbritur në Kuran është: “lexo” (mëso, studijo). Ndërsa i Dërguari ﷺ thotë: “Çdo musliman e ka për obligim (sipas mundësisë) ta kërkojë dijen (të arsimohet)“.
Në parim, dija; gjegjësisht shkencat ndahen në dy lloje:
1. Dije (shkenca) të dobishme, mësimi i të cilave është i dobishëm për individin dhe shoqërinë, me të cilat iu lehtësohet jetesa njerëzve, si: Dija per fenë, Mjekësia, Bujqësia, Inxhinieria, e të ngjashme. Mësimi i këtyre shkencave është obligim kolektiv (farz kifaje), që dikush nga shoqëria patjetër duhet t’i mësojë ato.
2. Dije të padobishme, studimi i të cilave nuk i sjell dobi as individit dhe as shoqërisë, si: Filozofia, Astrologjia (jo astronomia), mësimi i këtyre dijeve dhe angazhimi me to është i ndaluar, pos nëse bëhet nga studiues të kompletuar të cilët nuk ndikohen nga to dhe bëhet me qëllim që të qartësohet kotësia e tyre.
Shkencat politike, nuk ka dyshim se futen në llojin e parë të dijes; dije të dobishme, me te cilën synohet shërbimi i popullit si dhe lehtësimi dhe organizimi sa më i mirë i jetesës së tyre. Vlen të theksohet se ajo që mësohet në këtë lëmi, jo e tëra është e saktë dhe e drejtë, andaj studiuesi duhet ta bëj dallimin mes të vërtetave dhe të pavërtetave që mësohen aty, si dhe me të ta ketë synim përhapjen e drejtësisë dhe të vërtetës dhe largimin e padrejtësisë dhe të pavërtetave.
Allahu e di më mirë.
Hoxhë Rasim Haxha

Comments are closed.