Pyetja:

A lejohet të përdoret spiralja ose kondomi? Nëse ka mundësi me argumente dhe a paraqet ndonjë rrezik nga aspekti shëndetësor?

Përgjigjja:

Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Çështja e pengimit të shtatzënisë i preokupon shumë njerëz si rezultat i rrezikut dhe rëndësisë, sepse ka të bëjë me riprodhimin njerëzor. Duke e patur parasysh këtë ne do të mundohemi të qartësojmë dispozitat që kanë të bëjnë me këtë çështje.

Para trajtimit se çfarë dispozite ka në Islam, duhet të dimë se ekzistojnë disa forma dhe mjete me të cilat pengohet shtatëzania, disa prej tyre janë të karakterit medicinal e disa të tjera jomedicinal, ne do t`i përmendim nga këto forma si vijon:

a) Azli, që do të thotë gjatë aktit seksual mashkulli të hedhë spermën jashtë vaginës, me ç’rast nuk krijohen kushtet për fekondim.

b) Prezervativi mbrojtës (kondomi), i cili ruan spermën që të mos depërtojë në vaginë.

c) Tabletat kontraceptivë, janë të njohura dhe të përhapura për pengim të shtatëzanisë.

d) Supozitori mjekësor, është një mjet që gruaja e vendosë në vaginë pak çaste para aktit seksual.

e) Spiralja. Është mjet special medicinal që vendoset në mitër apo vaginë dhe është shumëllojësh. Prej tyre ka që prandalojnë takimin e spermatozoidit me qelizën vezë me ç’rast nuk ndodh fekondimi.

f) Lidhja, gjegjësisht lidhja e tubës për të penguar zbritjen e qelizës vezë nga vezorja në vendin ku mund të bëhet përzierja me spermatozoidin, me ç’rast ndodh fekondimi. Kjo lidhje është sterilizim. E njëjta (sterilizimi) mund të bëhet edhe te mashkulli ku mund të të pengohet përcjellja e spermës nga organi i mashkullit.

g) Ekziston edhe një metodologji tjetër që është e përbashkët ndërmjet burrit dhe gruas. Ajo është kufizimi i marrdhënive seksuale në mes tyre në disa ditë të caktuara.

Kjo formë kërkon një sqarim pak më të gjërë dhe do të mundohemi në ndonjë rast tjetër ta shpjegojmë.

Dispozitat islame rreth këtyre formave dhe mjeteve.

Për çështjen e pengimit të shtatëzanisë kushtëzohen t’i kemi parasysh këto kushte:

1. Të mos jetë qëllimi nga pengimi i shtatzanisë frika nga varfëria, furnizimi dhe pamundësia në mbajtjen e tyre materialisht. Allahu i Lartësuar ua tërheq vërejtjen mushrikëve të Mekës të cilët i mbytnin fëmijët nga frika e varfërisë ku thotë: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.” (Isra, 31)

Pra, nëse është kjo (pengimi i shtatzanisë) për këto qëllime të lartpërmendura, atëherë është mëkat dhe duhet t’i bëjmë një rishqyrtim bindshmërisë sonë ndaj Allahut.

2. Mos të bëhet pengimi i shtatzanisë me forma me të cilat ndërpritet aftësia e lindjes plotësisht, pra me forma që bëhet sterilizimi i femrës apo i mashkullit. Por, është kusht që të përdoren mjetet që janë me kohë të afatizura.

3. Të bëhet pengimi i shtatzanisë me parapëlqimin e dy palëve si burrit ashtu edhe gruas, prandaj nuk lejohet që gruaja të përdorë tableta kontraceptive pa lejen e burrit, apo burri të aplikoj forma për pengimin e shtatzanisë pa lejen e gruas.

Nga këto kushte të përmendura kuptuam se lejohet përdorimi i të gjitha formave dhe metodologjive të lartpërmendura, përveç lidhjes së tubës (që bëhet me anë të operacionit), për shkak se ajo ndikon në sterilitetin e femrës përjetësisht dhe kjo është e ndaluar. E njëjta vlen edhe për burrin (është fjala për sterilitetin e burrit).

Argument për lejimin e mjeteve kontraceptive është se në kohën e Profetit ﷺ ka qenë e njohur vetëm forma e parë “azli”, ku për të ekzistojnë hadithe. Disa prej tyre e lejojnë si hadithi të cilën e transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Xhabir ibën Abdullahu ku Muhamedi ﷺ ka thënë: “Në kohën e të dërguarit të Allahut ﷺ ne aplikonim azlin, ndërkohë Kurani akoma shpallej.” që do të thotë se Kurani nuk e ndaloi atë. Disa hadithe të tjera qartësojnë se aplikimi i azlit nuk kundërshton caktimin e Allahut (kaderin).

Mirëpo, këtu duhet ta kemi parasysh një gjë shumë me rëndësi, posaçërisht duke e patur parasysh atë që na serviret në kohën bashkohore se lumturia bashkëshortore dhe gjëra të ngjashme nuk mund të arrihen nëse kemi fëmijë të shumtë, kjo është një mashtrim për shkak se krenaria dhe fuqia e umetit tonë është në shumicën e tij, ku edhe Profeti ﷺ na nxit neve të kemi më shumë fëmijë.

Sa i përket dëmeve nga këto mjete ju këshillojmë të orientoheni te mjekët të cilët kanë mundësi më shumë t`ju informojnë për këtë gjë mjaft të rëndësishme.

Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi