Pyetja:

Prezentova në një varrim, dhe disa persona erdhën bashkë me xhenazen, por ende pa u lëshuar xhenazja, ata u ulën. Disa thanë se nuk bën të ulet njeriu derisa të lëshohet poshtë xhenazja. Më intereson sa është kjo e vërtetë?

***

Përgjigjja:

Fillimisht më duhet të them se pjesmarrja në xhenaze ka vlerë të madhe. Muslimani ka obligim ndaj vëllaut të vet musliman të vdekur që t’ia falë dhe t’ia përcjellë xhenazen. Kështu është shprehur Pejgamberi ﷺ. Është e vërtetë se në aspektin e sheriatit namazi i xhenazes është farzi kifaje, që do të thotë se nëse e falin nji grup, tjerët lirohen. Mirëpo, besimtari nuk është në rregull pa shkak të arsyeshëm mos e fal dhe mos e përcjell xhenazen e vëllaut të vet musliman, ngase lëshon sevape të mëdha.

Për sa i përket uljes para lëshimit të xhenazes, nuk ka ndonjë ndalesë decide se ky veprim nuk bën të bëhet, por nga praktika e Pejgamberit ﷺ shihet se ai nuk është ulur para se të varroset xhenazja. Së këndejmi, muslimanët duhet t’i përmbahen praktikës së Pejgamberit ﷺ dhe mos të ulen para se të lëshohet në varr xhenazja. Nëse ulja bëhet para lëshimit të xhenazes, nuk do të thotë se është bërë mëkat, por nuk është vepruar konform praktikës së Pejgamberit ﷺ. Përjashtim bëjnë ata të cilët ulen për shkaqe të arsyeshme, si pleqtë, personat që nuk mund të qëndrojnë në këmbë për shkak ndonjë sëmundje, apo shkojnë në hije për shkak nxehtësisë së madhe, etj.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu