Pyetja:

A lejohet të vihet hallka (stolia) e dorës që quhet Pandora, duke qenë se në të ka figura që
kanë domethënie të ndryshme; pra, a lejohet të vendoset në dorë apo në qafë vetëm një zinxhir i tillë, por pa figura?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Sa i përket stolive për gratë, në parim të gjitha stolitë janë të lejuara, me kusht që gratë të mos i zbulojnë ato stoli para meshkujve që nuk i kanë të afërt (mahrem). Për gratë janë të lejuara stolitë nga ari, argjendi, mëndafshi, e cilido material tjetër që përdoret për zbukurim, përveç atyre për të cilat ka argument të qartë se janë të ndaluara.
Sa i përket pyetjes në fjalë, nga ajo që kuptohet nga pyetësja, kjo markë e cila prodhon këto stoli, e cila quhet Pandora, ndër stolitë e saj ka edhe stoli me figura të cilat mund të përçojnë mesazhe të ndryshme, e mendoj se mund të arrijnë edhe në kulmin e ndalesave të Allahut, siç janë për shembull: një sy i kaltër, me pretendim se të mbron nga mësyshi, apo një personazh në miniaturë prej të cilit pretendohet ndihmë, apo çfarëdo qoftë tjetër e këtyre gjërave që pa pikë dyshimi janë të ndaluara rreptësisht, sepse janë idhujtari (shirk), dhe prekin besimin e muslimanit drejtpërdrejtë. Po ashtu, figurat e frymorëve të cilat kanë shpirt, ndalohen jo vetëm të vendosen në dhomë apo në shtëpi, por ndalohet vendosja e tyre në çfarëdo situate, për shkak se Pejgamberi ﷺ na ka treguar se melekët nuk hyjnë në atë shtëpi ku ka qen dhe fotografi (figura) frymorësh. Pra, e përsërisim se çdo stoli për gratë në parim është e lejuar, por atë e bën të ndaluar pastaj përmbajtja e saj, në këtë rast figurat e ndaluara, e nëse nuk ka figura frymorësh por vetëm figura gjeometrike, rrathë, vizatime, forma lulesh, ngjyra, e gjëra të kësaj natyre, atëherë lejohen pa asnjë mëdyshje.

Vërejtje: Në disa vende është përhapur një fetva e dijetarit të shquar të hadithit, Shejh Albanit, se nuk lejohet mbajtja e hallkave të dorës nga ari për gratë, gjë që bie ndesh me mendimin e shumicës së dijetarëve, madje ka unanimitet se çdo stoli e arit për gratë është e lejuar me hadithe të sakta të Pejgamberit ﷺ, dhe nuk ka hadith të saktë që pohon se ka përjashtim në këtë. Kurse, sa i përket hadithit të përmendur nga Shejh Albani, dijetarët e tjerë të hadithit e kanë cilësuar si të dobët, dobësia e të cilit rritet kur kihet parasysh kundërshtimi i haditheve të vërteta që janë transmetuar për lejimin e arit për gratë pa përjashtim të formës. Pastaj, po të ishte kjo e vërtetë, atëherë nuk do të lejoheshin as hallkat e arit për veshë, unazat e arit, e gjëra të tjera që kanë formë hallke. Prandaj ky mendim është i refuzuar.

Allahu e di më së miri!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin ﷺ, familjen dhe shokët e tij!

Përgatiti: Hoxhë Hekuran Helshani