Pyetje:
Desha të pyes për çrregullimin menstrual. Nga çrregullimi ndonjëherë nuk kam gjakderdhje të rregullt, por vetëm shenja me ngjyrë kafe dhe me aq e përfundoj periudhën e ciklit. Nganjëherë e kafta është paralajmëruese për gjakderdhjen normale, por ka raste që kam shenja të kafta para kohës së ciklit dhe ato janë njësoj si shenjat e ciklit – edhe dhimbja e barkut është e njëjtë. Si të veproj në këtë rast? Edhe pse nuk kam gjakderdhje, a të vazhdoj agjërimin dhe namazin apo ta konsideroj si cikël?

Përgjigja:

Falënderimi i takon Allahut.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.


Për sa i përket sekrecioneve të verdha dhe të kafta, duhet të kemi parasysh që, sipas kohës së shfaqjes së tyre, ato kanë edhe gjykimet përkatëse:

1. Nëse këto shenja të kafta dhe të verdha janë gjatë kohës së menstruacioneve, ato llogariten si menstruacione dhe gruaja duhet të presë derisa të pastrohet, pra derisa të shohë sekrecionin e bardhë.
Kjo bazohet në hadithin e Aishes -radiAllahu anha-, e cila u thoshte sahabijeve të prisnin derisa të shihnin sekrecionin e bardhë.

2. Nëse këto shenja të kafta apo të verdha shfaqen pas menstruacioneve dhe pas shfaqjes së sekrecionit të bardhë, atëherë ato nuk llogariten si menstruacione, por si gjendje e pastër. Gruaja në këtë rast ka detyrë të falet dhe të agjërojë.
Argument për këtë është hadithi i Umu Atijes, e cila ka thënë:
“Nuk i llogarisnim sekrecionin e kaftë dhe as atë të verdhë si gjë (pas pastrimit).”

3. Nëse këto sekrecione shfaqen në fillim të menstruacioneve, në kohën kur gruaja i pret ato, ato llogariten si menstruacione.

Vërejtje:
Tek shumica e femrave, menstruacionet janë me rrjedhje gjaku me nuanca të ndryshme. Ato mund të fillojnë me ngjyrë të errët, pastaj zbehen derisa të bëhen të kafta apo të verdha për disa ditë, e në fund del një shenjë që ovulacioni ka përfunduar – sekrecioni i bardhë.
Po ashtu, mund të ndodhë e kundërta: të fillojnë me ngjyrë të kaftë, pastaj të errësohen. Dallimi është te sasia, e cila ndryshon nga një femër tek tjetra për sa i përket zbrazjes gjatë ovulacionit.

▣ Thënia e dijetarëve që sekrecionet e kafta dhe të verdha në kohën e menstruacioneve llogariten si menstruacione përfshin pikërisht edhe fillimin e ciklit menstrual.

Allahu e di më së miri.

Dr. Adelina Kuçana