Pyetja:
A është gusli i mjaftueshëm për xhuma, pa marrë abdes?
***
Përgjigjja:
Nëse gusli bëhet për xhunubllëk dhe personi që bën gusël ka për qëllim (nijet) të heqë papastërtinë e madhe dhe të vogël, atëherë kjo mjafton për të dyja. Por, është më mirë për të të lajë organin gjenital, pastaj të marrë abdes, pastaj ta plotësojë guslin, duke ndjekur kështu shembullin e Pejgamberit ﷺ. I njëjti vendim vlen për gruan pas menstruacioneve dhe nifasit. Nëse gusli bëhet për arsye tjetër, si gusli i xhumasë, gusli për t’u flladitur apo për pastrim, atëherë kjo nuk mjafton pa marrë edhe abdes, edhe nëse bëhet nijeti për këtë. Sepse pjesët (e trupit) nuk janë larë me rend, gjë që është një nga elementet thelbësore të abdesit dhe ngaqë s’ka papastërti të madhe, në nijetin e së cilës mund të përfshihet edhe pastrimi nga papastërtia e vogël, si në rasti e guslit për xhunubllëk. Suneti për atë që është xhunub është që ai të marrë abdes dhe pastaj të bëjë gusl, duke ndjekur kështu shembullin e Pejgamberit ﷺ. Nëse ai bën gusël për xhunubllëk, me qëllim të pastrohet nga të dy llojet e papastërtisë, të voglën e të madhen, atëherë kjo mjafton, por kjo s’është mënyra më e mirë. Mirëpo, kur gusli është i rekomandueshëm/mustehab, si në rastin e xhumasë, apo për t’u flladitur, atëherë kjo nuk zë vendin e abdesit, qoftë para apo pas, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e asnjërit prej jush, nëse ai e prish abdesin, përveç nëse merr abdes”; “Asnjë namaz nuk pranohet pa abdes.” [1] Gusli që është i rekomandueshëm apo i lejueshëm, nuk njehet si pastrim nga papastërtitë e vogla, përveç nëse bëhet siç ka urdhëruar Allahu: “O ju që keni besuar, kur keni ndërmend të merrni abdes, lani fytyrat tuaja, duart tuaja deri në bërryla, fshini kokat tuaja dhe lani këmbët deri në nyjë.” (Ma’ide: 6) Por, nëse është gusël për xhunubllëk, për menstruacione apo për nifas, dhe personi ka ndërmend t’i bëjë të dyja pastrimet, atëherë pastrimi i vogël përfshihet në të madhin, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Veprat llogariten sipas qëllimit, dhe secilit do t’i takojë ajo për çka e ka pasur qëllimin“. [2]
Shejh Ibn Baz, “Mexhmu Fetaua” 10/173-174; 175-176
Shejh ibn Uthejmin ka thënë: “Nëse ai ka bërë gusl me nijet edhe për abdes, por nuk merr abdes, kjo nuk mjafton pa marrë edhe abdes, përveç nëse është gusl nga xhunubllëku. Nëse është gusl për xhunubllëk, gusli mjafton, pa marrë abdes, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nëse jeni në gjendje xhunubllëku, pastrohuni (lani tërë trupin).” (Ma’ide: 6) Nëse ai bën gusl për t’u flladitur apo bën gusl për xhuma apo ndonjë gusl tjetër që është i rekomandueshëm, atëherë kjo nuk mjafton, sepse me këtë gusl nuk synohet heqja e papastërtisë. Pra, parimi bazë është se, nëse me gusl synohet largimi i papastërtisë (dmth xhunubllëku, menstruacionet), atëherë kjo mjafton, pa pasur nevojë për abdes. Përndryshe, vetëm gusli pa abdes nuk mjafton”.
Lika el-Bab il-Meftuh, nr.109
——————————-
[1] Muslimi
[2] Buhariu 1