Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut…

Njeriu nuk bart mëkatin e tjetrit, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Askush nuk do të mbajë barrën e tjetrit.”
(En’am: 164).

Imam Shaukani, në veprën e tij “Fet’hul-Kadir”, duke komentuar këtë ajet, thotë:.“Asnjë person nuk ndëshkohet për mëkatin e tjetrit; çdo njeri mban barrën e vet të keqe dhe ajo nuk i kalon të tjerëve.”

Nëse kjo është e qartë, atëherë Allahu nuk e paracakton mëkatin për një person për shkak të mëkatit të një tjetri. Megjithatë, Ai është i Urti dhe i Drejti në gjithçka që bën.

Dëmi i mëkatit mund të përhapet nga një person tek tjetri, përmes shoqërimit me të dhe imitimit të tij. Kjo mund të jetë një formë ndëshkimi nga Allahu për të dhe një shqetësim për të. Siç thotë një fjalë të transmetuar nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Kush shkel nderin e një personi tjetër, shkatërrohet nderi i fëmijëve të tij.”

Në lidhje me fjalën e Allahut të Lartësuar:
“O motra e Harunit! Babai yt nuk ishte njeri i keq dhe nëna jote nuk ishte imorale!” (Merjem: 28),
Ka thënë Katadeja:
“Ajo ishte nga një familje që njiheshin për devotshmëri dhe jo për prishje; disa njerëz njihen për devotshmëri dhe e transmetojnë atë, ndërsa të tjerët njihen për prishje dhe e trashëgojnë atë.”

Ibn Kethiri, duke komentuar këtë ajet, thotë:
“Ti je nga një familje e njohur për devotshmëri dhe pastërti, si mund të bëje këtë veprim?”
(Tefsiri i Ibn Kethirit, 5/226).

Ndërsa Abdurahman Sa’di thotë:
“Në përgjithësi, pasardhësit i ngjajnë prindërve të tyre, qoftë në mirësi apo në të kundërtën.”
(Tefsiri i Sa’dit, fq. 492).

Në një hadith të saktë, i transmetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të), Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
“Fëmija i paligjshëm është më i keqi nga tre personat (që kanë lidhje me këtë mëkat).”
(Sunen Ebu Davudi, 3963).

Shejhul Islam Ibn Tejmije thotë:
“Fëmija i paligjshëm, nëse beson dhe bën vepra të mira, hyn në xhenet. Përndryshe, ndëshkohet për veprat e tij, ashtu si të gjithë të tjerët. Vlerësimi bëhet mbi veprat, jo mbi origjinën.”
(Mexhmu’ul-Fetava, 4/312).

Pra, kjo nuk është nga llogaritja e mëkatit të një personi për shkak të një tjetri, por një pasojë e ligjeve të jetës: natyra ndikon dhe mëkatet janë borxhe që shlyhen.

A duhet të urdhërojë në të mirë dhe të ndalojë nga e keqja ai që kryen mëkate?
Po, është detyrim për të urdhëruar për mirë dhe ndaluar nga e keqja, edhe nëse është vetë mëkatar. Sefariniu thotë:
“Është detyrë e çdo besimtari të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë të keqen, edhe nëse ai vetë është mëkatar.”
(Gidhau Elbab, 1/219).

Por, është turp dhe hipokrizi për të urdhëruar të tjerët ndërkohë që vetë e shkel atë:
“A i urdhëroni njerëzit për të mirë dhe harroni veten tuaj?” (Bekare: 44).

Zgjidhja e vetme është pendimi i sinqertë dhe ndalimi i mëkatit, përndryshe njeriu do të shohë pasojat e veprimeve të tij.

Allahu e di më së miri.

www.Islamqa.info
Përktheu nga arabishtja:  Agim Bekiri