Pyetja:

Dua t’ju pyes nëse mund të më thoni se cilat dua duhet t’i them sa më shpesh (dhe kur) pasi kam disa probleme shumë të mëdha që nuk po më largohen. Kur falem, në sexhade më krijohen forma të ndryshme fytyrash me sy. Sado që e shmangi shikimin prapë më dalin në rukunë tjetër. Gjithashtu më shkëputet mendimi dhe më vijnë ndërmend probleme të ndryshme, sidomos të punës. (Kohët e fundit me thënë të drejtën kam pasë punë me tepricë sa kam punuar edhe natën në shtëpi për ta mbaruar.) Mundohem të përqëndrohem në kuptimin e sureve dhe përsëri kam shkëputje nganjëherë. Kam provuar gjithashtu të pështyj tri herë majtas pasi kam thënë ‘Eudhu bismilahin’.

***

Përgjigjja:

I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Kur dikush ka shqetësim dhe preokupim, pra është i mërzitur e i shqetësuar, dhe e thotë këtë lutje: …

“Allahumme, inni abduke ve’bnu abdike ve’bnu emetike, Nasijeti bijedike, madin fijje hukmuke, adlun fijje kadauke, es’eluke bi kul-li ismin huve leke, semmejte bihi nefseke ev al-lemtehu ehaden min halkike, ev enzeltehu fi kitabike, evis’te’therte bihi fi ilmi’l gajbi indeke en texhale’l kur’ane rebia kalbi ve nure sadri ve xhelae huzni ve dhehabe hemmi”

Kuptimi në shqip:

“O Allah! Unë jam robi Yt, bir i robit Tënd, bir i robëreshës sate. Fati dhe e ardhmja ime është në dorën Tënde. Gjykimi Yt është i respektuar tek unë dhe caktimi Yt është i drejtë për mua. Të lutem me çdo emër Tëndin, që e emërtove Veten me të (në Kuran), apo ia mësove dikujt prej robërve Tu, na lajmërove për të nëpërmjet shpalljes Tënde (Kur’anit), apo e le në botën e Gajbit tek Ti, që të ma bësh Kuranin kopsht të zemrës sime, dritë të gjoksit tim, largues të dëshpërimit tim dhe çrrënjosës të preokupimit tim!”

… Allahu do t’ia largojë atij preokupimin dhe do t’ia zëvendësojë me dalje nga ajo gjendje.” Të pranishmit i thanë, a ta mësojmë pra, o i dërguar i Allahut? Ai u përgjigj: “Gjithsesi, ai që e dëgjon duhet ta mëson këtë lutje.” [1]

Po ashtu edhe këtë lutje është mirë ta bëni: “Kërkoj mbrojtje nga Allahu, që me fjalët e Tij të përsosura të më ruajë nga zemërimi i Tij dhe nga dënimi i Tij, të më ruajë nga të këqijat e njerëzve, të më ruajë nga ngasjet e Shejtanit, që kërkon të ndikojë tek unë.”

Si dhe lutje të tjera. Allahu ju ndihmoftë në largimin e preokupimeve dhe cytjeve të ndryshme të djallit! Amin!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

——————————————————————-

[1] Sahih, transmeton Ahmedi nga Ibni Mes’udi.