Pyetja:

A pranohet namazi i një femre e cila ende nuk mban shami?

***

Përgjigjja:

E nderuar, sa i përket mbulesës së femrës, nuk ka dilemë se mbulesa e femrës pas hyrjes në kohën e pubertetit është obligim islam (farz). Mbulimi i femrës që përfshihet në kategorinë e Farzit është tërë trupi i saj me përjashtim të fytyrës dhe duarve deri te zogu i dorës. Kjo është sa i përket farzit të mbulimit jashtë namazit, kurse mbulimi i trupit në namaz është kusht i vlefshmërisë, që nënkupton se falja e namazit pa mbulesë është i pa vlefshëm. Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz.” (Araf: 31)
Kurse argument për mbulimin e avretit nga sunneti është hadithi i Pejgamberit ﷺku thotë: “Oj Esma! Vërtet gruas kur t’i paraqitet cikli nuk lejohet që të shihet nga ajo (femra) përveç kësaj e kësaj (dhe Pejgamberi ﷺ bëri me isharet në fytyrën dhe duart e tij).” [1]

Pra, përfundimi i tërë kësaj që thamë është se mbulesa është farz, saqë nëse nuk e vepron konsiderohet mëkatare, e nëse e mohon tërësisht atëherë konsiderohet jomuslimane. Mirëpo, nëse ajo nuk mbulohet por nuk e mohon si farz mbulesën, në anën tjetër e falë namazin dhe normalisht gjatë namazit mbulohet, ne konsiderojmë se namazi i saj është i vlefshëm. Pra namazi duhet të falet, kurse mëkati për mos mbulim të kokës jashtë namazit ngelë, që shpresojmë se me faljen e rregullt të namazit ai do të ndikojë që ajo edhe të mbulohet.

Allahu e di më së miri!

Jusuf Zimeri

_____________

[1] Ebu Davudi