Pyetja:

Aktualisht jetoj në Turqi për qëllime studimi dhe jetoj me katër shokë në të njëjtën shtëpi. Do të doja që të më jepni disa këshilla se si të sillem me ta sepse ata shikojnë filma të këqij, dhe dëgjojnë muzikë. Në shumicën e rasteve kur vjen koha e namazit, ata e shpërfillin edhe nëse falem para tyre, ose u themë se po shkoj në xhami që të mos bëjnë sikur nuk e dinë. Ndonjëherë i inkurajoj që të shikojnë ligjërata dhe video islame, por ata shikojnë filma vizatimorë që të mos i shqetësoj apo t’i kundërshtoj që të shohin televizor. Si mund t’i ndihmoj, sepse ndihem fajtor për ta dhe dua t’i ndihmoj?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të Dërguarin e Tij, ﷺ.

Së pari:

Miqësia e sinqertë është diçka që kërkohet sipas mësimeve islame. Muslimani duhet të jetë shumë i etur për të pasur miq të mirë, sepse kjo është një nga mjetet për t’u mbrojtur nga telashet dhe tundimet.

Transmetohet nga Ebu Seid El Hudri se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos bëni shoqëri me askënd përveç besimtarit dhe mos lejoni që dikush të hajë ushqimin tuaj, përveç atij që është i devotshëm.” [1]

Kjo ka të bëjë me ftesën e njerëzve në një vakt, jo kur i ushqeni njerëzit për shkak se janë nevojtarë, sepse Allahu i Madhëruar thotë:

“Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër.” (Insan: 8)

Është e njohur se robërit e tyre ishin jobesimtarë dhe nuk ishin besimtarë e as njerëz të devotshëm.

Përkundrazi, ne jemi të paralajmëruar të mos bëjmë shoqëri me këdo që nuk është i devotshëm, dhe ne jemi të dekurajuar që të mos përzihemi me ta dhe të hamë me ta, sepse të ngrënit së bashku ngjall simpati dhe dashuri në zemër. Ajo që mund të kuptojmë nga hadithi është: “Mos u miqësoni me atë që nuk është i devotshëm dhe mos e merrni për shok me të cilin hani dhe bisedoni.” [2]

Transmetohet nga Ebu Musa El Esh’ari se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “hokut të mirë dhe shokut të keq është si shembulli i shitësit të parfumit dhe farkëtarit, që pastron metalet. Për sa i përket shitësit të parfumit ai mund të japë diçka, mund të blesh prej tij, ose së paku mund të ndjesh erën e mirë. Ndërsa farkëtari që pastron metalet, mund të djegë rrobet, ose mund të gjesh tek ai erë të keqe.” [3]

Neveviu ka thënë: “Kjo nxjerr në pah virtytin e të ndenjurit me njerëzit e drejtë, të mirë e të denjë, ata që kanë sjellje të mira dhe qëndrime të mira, të devotshëm, të ditur dhe të sjellshëm. Dhe tregon se nuk lejohet të ulesh me njerëz të këqij, me ata që ndjekin bidatin, me ata që përgojojnë njerëzit ose që janë të ndyrë dhe shpërdorues të kohës, dhe vese të tjera të qortueshme.” [4]

Prandaj, duhet të përpiqeni shumë për të gjetur një shoqëri të mirë për të jetuar, sa herë që jeni në gjendje ta bëni këtë.

Së dyti:

Nëse nuk mund të gjesh vend ku të jetosh përveç vendit ku je tani, nuk fajësohesh që jeton me ta, nëse ke frikë Allahun. Kjo nënkupton të mos ulesh me ta kur bëjnë gjëra të pakëndshme, dhe nëse i sheh se bëjnë diçka të kësaj natyre, duhet t’u thuash të mos e bëjnë këtë dhe t’ua rikujtosh.

“Kur t’i shohësh ata të nënçmojnë shpalljet Tona, largohu prej tyre, derisa të kalojnë në bisedë tjetër! E, nëse djalli të bën të harrosh, sapo të përmendesh, mos rri me keqbërësit! Ata që i frikësohen Allahut, s’kanë kurrfarë përgjegjësie për gjynahet e mohuesve, por ua kujtojmë vetëm që të ruhen nga e keqja.” (Enam: 68-69)

Shejh Sa’di ka thënë: ‘Ky ndalim vlen për atë që ulet me ta dhe nuk vepron në përputhje me mësimet islame, si p.sh. nëse ai u bashkohet atyre në veprimet dhe veprat e tyre të paligjshme, ose hesht dhe nuk denoncon keqbërjen. Por nëse ai i përmbahet mësimeve islame duke i urdhëruar ata për të bërë të mira dhe duke i ndaluar ata për të bërë të këqija ose për të thënë fjalët e këqija që ata thonë, dhe kjo rezulton në përfundimin e së keqes ose zvogëlimin e saj, atëherë nuk ka faj apo mëkat ndaj tij në atë rast. Prandaj Allahu thotë: “Ata që i frikësohen Allahut në asnjë mënyrë nuk janë përgjegjës për ta. Mirëpo, është (detyrë e tyre) që t’i këshillojnë ata, në mënyrë që të heqin dorë nga talljet e tyre, d.m.th., le t’i përkujtojë dhe t’i këshillojë ata, që të kenë frikë Allahun dhe të heqin dorë.”‘ [5]

Por cili është vendimi nëse ata nuk i përgjigjen këshillës suaj?

Në këtë rast, duhet të vazhdoni t’i kujtoni sa herë që shihni një mundësi të përshtatshme për ta bërë këtë, por mos e bëni këtë shumë shpesh, në mënyrë që ata të mos irritohen me ju dhe të mos pëlqejnë të flasin me ju.

Ju gjithashtu duhet të bëni shumë lutje, duke kërkuar që ata të udhëzohen. Nëse e bëni këtë, do të keni bërë atë që kërkohet prej jush dhe nuk do të keni mëkat.

Allahu i Lartësuar thotë: “Kur disa prej tyre thanë: “Përse këshilloni, kur e dini se Allahu do t’na zhdukë ose do të na ndëshkojë ashpër?!” Këshilltarët u përgjigjën: “Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj dhe që ju të mund të ruheni nga gjynahet.” Por, kur e harruan atë për të cilën ishin paralajmëruar, Ne i shpëtuam ata që këshillonin, kurse i ndëshkuam ashpër keqbërësit, për shkak të mosbindjes së tyre.” (Araf: 164-165)

Por nëse vazhdojnë ashtu siç janë, atëherë mos u ulni me ta për shumë kohë, vetëm aq sa duhet, atëherë kaloni pjesën tjetër të ditës duke bërë gjëra të dobishme si studimi dhe rishikimi në fakultetin tuaj dhe bibliotekën e tij, sepse kjo është qëllimi për të cilin keni udhëtuar atje, atëherë mund të shkoni në shtëpi vetëm për të pushuar.

Dhe Allahu e di më së miri.

Islamqa.com

———————————————-

[1] Tirmidhiu (2395) dhe Davudi (4832); i klasifikuar si hasen nga shejh Albani.

[2] Ma’alim es-Sunen (4/115)

[3] Buhariu (5534); Muslimi (2628)

[4] Sherh Sahih Muslim (16/178)

[5] Tefsiri i Sa’adit (fq. 260)