Pyetja:

Kam dëgjuar prej shumë hoxhallarëve se mënyra e mjeteve kontraceptive për mbrojtje nga shtatzënia është haram në Islam. Nëse keni mundësi, ma sqaroni.

***

Përgjigjja:

Dihet mirëfilli se objektivi më kryesor i martesës është reproduktimi i llojit njerëzor. Për këtë objektiv kemi mjaft argumente nga fjalët profetike të të Dërguarit të Allahut kur ka thënë: “Martojini të dashurat, që lindin, sepse unë krenohem me kuantitetin tuaj para popujve Ditën e Gjykimit!” [1]

Çështja e pengimit të shtatzënisë është e vjetër dhe e njohur edhe në kohën e të Dërguarit të Allahut, ﷺ. Nevojat për ta penguar shtatzëninë kanë qenë edhe në atë kohë, e sidomos kur ishte në pyetje çështja e robëreshave, pasi që zotërinjve të tyre i lejohej të kishin marrëdhënie intime me to, por nëse ato lindnin, merrnin statusin e “nënës së djalit”, gjë që pastaj i pengonte pronarët t’i shesin ato.
Natyrisht se mënyra më efikase për ta parandaluar shtatzëninë do të numërohej ejakulimi i spermës së mashkullit jashtë mitrës së femrës. Për këtë, Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të ka thënë: “Ejakulonim jashtë mitrës derisa Kurani zbriste.” [2]
Në një version tjetër precizohet: “Ejakulonim jashtë mitrës në kohën e të Dërguarit të Allahut dhe i kishte arritur atij kjo informatë, por nuk na pati ndaluar nga ky veprim.” [3]

Vlen të përmendet se një pjesë e vogël e dijetarëve mendojnë se ejakulimi jashtë mitrës është i urryer, por nuk thonë se është haram, përderisa shumica absolute mendojnë se veprimi i tillë është i lejuar. Mirëpo për t’u lejuar ejakulimi jashtë mitrës, këta të fundit vënë kusht që të jetë me pajtimin e bashkëshortes (së lirë, kurse nuk obligohen ta pyesin robëreshën), pasi femra ka të drejtë të kërkojë ta arrijë orgazmën seksuale si dhe planifikimi familjar apo pengimi i shtatzënisë duhet të ndodhë në mënyrë unanime prej bashkëshortëve, e jo në mënyrë të njëanshme.

Ibni Muhajrizi thotë se shkuam një herë unë dhe Ebu Sirme tek Ebu Seid Huderiu dhe Ebu Sirme e pyeti Ebu Seidin se a ke dëgjuar ndonjëherë të Dërguarin ta përmendë ejakulimin jashtë mitrës? Ebu Seidi tha po dhe vazhdoi të rrëfente: Ishim në betejë së bashku me të Dërguarin në betejën e Beni Mustalikut. Patëm nxënë për robër edhe disa femra të çmuara arabe. Pati kaluar kohë që kur ishim ndarë nga gratë tona dhe në anën tjetër donim të fitojmë me shitjen e robëreshave dhe kështu, dëshiruam të kënaqemi me to dhe të ejakulojmë jashtë mitrës (për t’i ikur lindjes së fëmijëve nga to, që më pas për t’i shitur). Në atë rast thamë: a bën që ne të veprojmë kësisoj, derisa Resulullahu është në mesin tonë e ne mos ta pyesim?! Dhe e pyetëm të Dërguarin e Allahut dhe ai na tha: “Asgjë nuk ju pengon nga ai veprim! Por dijeni se nuk ndodh që kurdo deri në Ditën e Gjykimit Allahu të ketë caktuar që një qenie të ekzistojë e që ajo të mos ekzistojë.” [4]

I Dërguari deshi ta informojë tërë umetin e tij se atyre u lejohet të ruhen nga shtatzënia, por asnjëherë mos të mendojnë se kanë fuqi ta ndalin një qenie nga jeta, nëse për atë qenie ka vendosur Allahu që të vjen e të jetojë. Për këtë arsye dijetarët thonë se burri nuk ka të drejtë ta akuzojë gruan e tij për imoralitet në rast se ajo mbetet shtatzëne gjatë kohës kur burri ejakulonte jashtë mitrës.

Një gjë tjetër nuk ka dilemë në mesin e dijetarëve që është e lejuar. Është fjala për mos-kontaktin seksual fare gjatë ditëve të mundshme të fekondimit. Pra, nuk obligohet çifti bashkëshortor që patjetër të kontaktojnë gjatë ditëve të fekondimit, e që llogaritet të jetë dita e 14, 15 dhe 16 të muajit menstrual, duke filluar së numëruari prej ditës së parë të menstruacioneve. Ose për të qenë edhe më të sigurt, të heqin dorë nga marrëdhëniet intime në dhjetëditëshin e mesit nga tre sa janë (10 ku përfshihen edhe menstruacionet + 10 ku llogaritet të ndodh fekondimi i qelizave + 10 që as nuk ndodh fekondimi e as nuk ka cikël menstrual, ku mundet të mos ruhen).

Duke u bazuar në këto dy forma të mundshme të parandalimit të shtatzënisë, shumica e dijetarëve kanë lejuar me analogji edhe mënyrat e tjera që kanë të njëjtin qëllim, duke përfshirë këtu mjetet e ndryshme kontraceptive. Mjetet kontraceptive i ndalojnë ata dijetarë (e që janë pak) që nuk e lejojnë edhe mënyrën e natyrshme të pengimit të shtatzënisë, kurse shumica absolute e atyre që e lejojnë vonimin e shtatzënisë (e që janë shumë), i lejojnë edhe mjetet kontraceptive me dallime nga njëri mjet në tjetrin dhe nga ndonjë dijetar tek tjetri.

Natyrisht se ata dijetarë, që e lejojnë një veprim të tillë, kanë vënë kushte shtesë për ta lejuar atë gjë. Shumë janë dijetarët që e lejojnë pengimin e shtatzënisë, kurse pak nga ta janë që e lejojnë një veprim të tillë pa kushte. Për disa kushte pajtohen të gjithë ata dijetarë, kurse për disa të tjera nuk pajtohen të gjithë. Kushtet janë si vijon:

Që mjeti kontraceptiv të mos e dëmtojë shëndetin e gruas në asnjë formë.

Të bëhet kjo me pajtimin e të dy bashkëshortëve e jo me vendimin e njërit. Pra, nuk lejohet që burri ta kufizojë numrin e fëmijëve nëse gruaja dëshiron si dhe nuk lejohet që gruaja të përdorë mjete kontraceptive nëse burri refuzon një gjë të tillë. Nga kjo rezulton se për mos-shtatzëni kërkohet mendimi i përbashkët, kurse për mbetje shtatzëne nuk nevojitet pajtueshmëri, sepse një gjë e tillë konsiderohet e rendit martesor.
Që të ketë nevojë për ta parandaluar lindjen, si p.sh. lindja e njëpasnjëshme e fëmijëve, ndërprerja e gjirit të fëmijës së porsalindur për shkak të shtatzënisë së re, shëndeti i dobët i gruas, pamundësia e edukimit të mirëfilltë e fëmijëve nëse rritet numri i tyre, madje humbja e bukurisë së bashkëshortes etj., duke mos zbehur besimin aspak se Allahu është furnizues dhe se fëmija vjen me caktimin paraprak prej Allahut të mjeteve të jetesës për të (Për disa prej këtyre arsyeve nuk pajtohen të gjithë dijetarët, por vetëm disa i mohojnë).

Që pengimi nga shtatzënia të jetë me qëllim afatshkurtër, derisa të tejkalohet nevoja. Nuk lejohet assesi, me pajtueshmërinë e të gjithë dijetarëve, prishja e mitrës dhe e organeve të lindjes përjetësisht, përveç në raste kur është në pyetje jeta e femrës, e jo çështja e planifikimit familjar.

Këto janë kushtet që i parashohin dijetarët islamë lidhur me këtë çështje, numri i të cilëve është i madh siç theksova më lart.

Sa i përket llojeve të mjeteve, dijetarët mendojnë se duhet trajtuar secilin lloj kontraceptiv në mënyrë të ndarë. Disa p.sh. e ndalojnë spiralen për parandalim të përkohshëm, pasi për t’u vendosur spiralja duhet që femra ta zbulojë avretin, gjë e cila është e ndaluar, qoftë edhe para mjekeve femra. Ata thonë se do të lejohej të zbulohej avreti në raste të jashtëzakonshme, si rrezikimi i jetës së femrës, kurse vonimi i shtatzënisë, thonë ata, nuk numërohet si rast i jashtëzakonshëm, që do ta lejonte zbulimin e avretit. Pastaj çdo mjet kontraceptiv duhet marrë me kujdes dhe gjithherë në konsultë me mjekët specialistë, në mënyrë që mos të dëmtohet shëndeti i femrës apo fertiliteti i saj. Duhet të shikohet se çka prej këtyre mjeteve është më i lehtë. Nuk lejohet p.sh., të zgjidhet mënyra e vendosjes së spirales, kur ka mundësi që çështja e pengimit të shtatzënisë të arrihet me hapa apo medikamente. Nuk ka dyshim se mënyra më efektive dhe më e lehtë do të ishte kontakti i normuar seksual, duke mos dyshuar në faktin se qenia të cilën Allahu e ka caktuar të dalë në jetë, do të dalë, pa marrë parasysh mjetin e përdorur për parandalimin e shtatzënisë, pasi që asnjë mjet nuk është qind për qind i sigurt.

Prapë po përsëris që ka dijetarë që fare nuk e lejojnë parandalimin e shtatzënisë me ndikim të jashtëm, por mendimi i tyre është i bazuar vetëm në argumente të përgjithshme, që kanë të bëjnë me kaderin, furnizimin, frikën nga varfëria, pozitën e fëmijëve, ndikimin e fëmijëve në jetën e Ahiretit etj., siç janë ajetet në vijim:

S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes. Të gjitha këto janë (të shënuara) në Librin e qartë.” (Hud: 6)

Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë! Ne u sigurojmë ushqim atyre dhe juve. Vërtet, vrasja e tyre është gjynah i madh.” (Isra’: 31)

Shumë paganëve, idhujt e tyre ua kanë bërë t’u duket e bukur vrasja e fëmijëve të tyre, për t’i shkatërruar dhe për t’ua pështjelluar besimin. Sikur të donte Allahu, ata nuk do ta bënin atë. Lërini ata dhe trillimet e tyre.” (En’amë: 137)

Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote.” (Kehf: 46) etj.

Vlen të theksohet se hoxhallarët si: Ibën Bazi, Uthejmini, Albani etj., e lejojnë ruajtjen nga shtatzënia me kushtet e lartpërmendura. Kurse e ndalojnë të bëhet ajo thjesht për komoditete të dynjasë dhe nga frika e mos-pasurimit etj.

Por mund të themi se me argumentet e ndalimit të shtatzënisë do t’u adresoheshim atyre që janë thellësisht të ndikuar nga ideologjia e planifikimit familjar, që kanë frikën e së ardhmes për fëmijët e tyre, që shohin rrezik në rritjen e numrit të muslimanëve etj. Kurse për muslimanët që i kanë të tejkaluara këto preokupime, por thjesht duan që të kenë një renditje në rritjen, edukimin, shëndetin e fëmijëve si dhe kohën, shëndetin, rrethanat e prindërve e sidomos të gruas, do të thoshim se argumentet janë të favorshme për t’u ruajtur nga shtatzënia në afate të shkurtra.

Dikush nga dijetarët çështjen e pengimit të shtatzënisë e ka ndarë në tri dispozita të ndryshme:

Haram, nëse shkaku është frika nga varfëria dhe besimi i dobët në kaderin e Allahut,

I lejuar, nëse bëhet për arsye të dynjasë si: ruajtja e bukurisë së bashkëshortes, vijës së trupit të saj etj., si dhe për arsye të ahiretit, që gruaja apo të dy bashkëshortët t’i qasen kërkimit të diturisë, mbyllja për ibadete të ndryshme si namazi i natës etj. dhe

I urryer, nëse nuk ka as arsye të dynjasë e as të ahiretit si dhe nuk ka dyshime në kaderin e Allahut.

Sigurisht se do të kishte vend të thuhet edhe dispozita e katërt, që pengimi i shtatzënisë të ishte obligim nëse rrezikohej shëndeti dhe jeta e gruas.

Duke e pasur parasysh se arsyet e pengimit të shtatzënisë, qofshin për motive të dynjasë qofshin për motive të ahiretit janë të shumta dhe shumica e rasteve që e pengojnë shtatzëninë motivohen nga ndonjë nga arsyet e shumta, do të thoshim se në mënyrë të përgjithshme pengimi i shtatzënisë do të ishte i lejuar, duke përjashtuar rastet e atyre që ndikohen nga thirrjet e të huajve për zvogëlim të natalitetit tek muslimanët, që frikohen nga varfëria etj.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

—————————-

[1] Ebu Davudi, Nesaiu, Hakimi

[2] Buhariu, Muslimi

[3] Muslimi

[4] Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi