Pyetja:

  1. Nëse kemi bërë nijet për një hatme dhe qëllimi për të cilin e kemi nisur hatmen ka mbaruar, por që hatmen ende s’e kemi perfunduar, a mund ta plotësojmë qëllimin e hatmes apo duhet veç ta përfundojmë atë me nijetin për të cilin është nisur?

2. Nëse kemi të nisura më shumë hatme njëherësh, të themi për raste të ndryshme, a duhet t’i lexojmë pak e nga pak paralelisht të gjitha apo duhet ta përfundojme njërën pastaj të fillojmë me tjetrën?

Po bashkimi i tyre në një hatme të përbashkët a lejohet, edhe nëse qëllimet janë të ndryshme?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

1. Pyetja paksa nuk është e qartë kur thoni se keni bërë nijet një hatme, mirëpo ai qëllim ka mbaruar. Leximi i Kuranit është adhurim sikurse adhurimet tjera dhe nuk ka kohë të veçantë ose rrethanë të caktuar, pas të cilit, nuk lexohet, nëse kalon ajo kohë. Kurani lexohet në çdo kohë dhe besimtari duhet të jetë në shoqërim me të kurdo që ta ketë mundësinë. Është e vërtet se disa kohë janë më të lavdëruara për lexim të Kuranit, sikurse muaji i Ramazanit, pjesa e tretë e natës gjatë namazit të natës, etj. Mirëpo ai preferohet të lexohet në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Prandaj nuk është e drejtë që leximin e Kuranit ta ndërlidhim me ndonjë çështje të caktuar, ose ta bëjmë nijet leximin e një hatmeje për një arsye të veçantë. Ndërsa për leximin e Kuranit për të vdekur kemi folur mjaft në temat tjera dhe këtu nuk do të ndalemi.

Kurani është komunikimi i fundit në mes të Krijuesit dhe krijesës, njeriu e lexon atë që të kuptoj mësimet dhe porosit e Krijuesit të tij, pastaj vetë leximi është adhurim shumë i vlefshëm. I Dërguari   ka thënë:

“Lexoni Kuranin, se ai do të vijë në Ditën e Gjykimit e të bëjë shefat (të ndërmjetësojë) për lexuesit e tij.”

Pastaj ka thënë:

“Më i miri ndër ju është ai që e mëson Kuranin e pastaj ua mëson atë të tjerëve.”

Dhe ka thënë:

“Lexuesit të Kuranit do t’i thuhet në Ditën e Gjykimit: ‘Lexo dhe ngrihu (shkallëve të xhenetit), lexo drejt dhe bukur, siç ke lexuar në dynja, se vendi yt është në ajetin e fundit që lexon.”

Këto hadithe vërtetojnë vlerën e leximit të Kuranit dhe për besimtarin do të ishte e domosdoshme, brenda ditës ta rezervoj një kohë në të cilën do të ulet dhe do të lexoj Kuran.

2. Ndërsa në lidhje me leximin e dy tri hatmeve për njëherë, themi se synimi nga leximi i Kuranit nuk duhet të jetë vetëm grumbullimi i hatmeve, por kalimi i kohës në adhurim dhe përkushtim ndaj Zotit. Njeriu këtë adhurimi (leximi i Kuranit) mund ta realizoj me disa veprime të cilat të gjitha janë të lavdëruara, sikurse të mësoj përmendësh, ta përsëris kohë pas kohe ato pjesë që i di përmendësh, ta përforcoj leximin duke i shikuar me një koncentrim shkronjat dhe formulimin e tyre, ta lexoj atë duke shikuar përkthimin dhe domethënien e tyre, të bëj hatme Kuranin, etj. Nëse besimtari i vepron të gjitha këto, atëherë ai ka vepruar drejtë. Kështu nëse i fillon edhe dy hatme për njëherë nuk ka ndonjë pengesë, megjithëse do të ishte më drejtë që së pari ta mbaronte hatmen pastaj ta nis tjetrën dhe kështu me radhë. Tregohet nga dijetarët se muslimani i përkushtuar duhet vazhdimisht ta ketë një hatme të nisur sa herë që të ketë kohë të lexoj aty.

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi