Hadithet mbi ndalimin e bartjes së fjalëve
Hudhejfeja, radijall-llahu anhu, thotë:
“Kam dëgjuar Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, duke thënë: ‘Bartësi i fjalëve nuk hyn në Xhenet.’”
(Muslimi)
Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet:
“Ai i cili fshehurazi i dëgjon fjalët pastaj i bart ato, nuk hyn në Xhenet.”
(Buhariu)
Kur’ani për bartësin e fjalëve
Allahu, Subhanehu ve Teala, thotë:
“Që është përgojues dhe bën fjalë ndër njerëz.”
(Kalem, 11)
Kuptimi i “nemime”
Fjala nemime gjuhësisht do të thotë: pëshpëritje, lëvizje e lehtë.
Kurse kuptimi terminologjik është: bartja e fjalëve prej njërit te tjetri për të shkaktuar përçarje.
Dënimi për bartësin e fjalëve
Ai i cili e di se bartja e fjalëve është e ndaluar, dënohet me privim nga Xheneti, ashtu sikurse dënohet në jetën e varrit.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, kaloi pranë dy varreve dhe tha:
“Këta dy tash po dënohen, jo për diçka të madhe. Njëri prej tyre ka bartur fjalë ndër njerëzit, kurse tjetri nuk është kujdesur nga stërpikja me urinën gjatë kryerjes së saj.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Si të veprojmë kur dikush na bart fjalë?
-
Nuk duhet t’i besojmë ato fjalë.
-
Nuk duhet të mendojmë keq për atë për të cilin janë thënë.
-
Nuk duhet të mundohemi t’i verifikojmë ato fjalë.
-
Duhet ta ndalojmë dhe qortojmë bartësin e fjalëve.
-
Nëse nuk ndalet, duhet ta urrejmë për këtë vepër.
-
Dhe të mos e bëjmë të njëjtin gabim duke ia bartur fjalët dikujt tjetër, sepse kështu barazohemi me të.
E gjithë kjo vlen nëse nuk ka dobi fetare në bartjen e fjalëve. Në të kundërtën, bartja e fjalëve është vepër e preferuar ose e obliguar, si në rastin kur dikush përpiqet të nëpërkëmbë nderin ose pasurinë e ndonjë myslimani me padrejtësi.
Thënie të dijetarëve për bartjen e fjalëve
-
El-Utbe ka thënë:
“Dëgjova një plakë duke këshilluar djalin e saj: Ruaje fshehtësinë dhe ki kujdes nga bartja e fjalëve, sepse ajo nuk lë miqësi pa e shkatërruar e as zili pa e ndezur.” -
Jahja ibën Ebi Kethir ka thënë:
“Ajo që e bën bartësi i fjalëve për një orë, nuk mund ta bëjë magjistari për një muaj.” -
Muavija i tregoi Ahnefit disa gjëra që kishte dëgjuar për të. Ahnefi e ndaloi.
Muavija i tha: “Më ka treguar njeri i besueshëm.”
Ahnefi ia ktheu: “Njeriu i besueshëm nuk tregon gjëra të neveritura.”
Përgatiti: Ahmed Muadh Hakkij
Përktheu: Agim Bekiri
(Libri: Katërdhjetë hadithe mbi moralin, NuN, Shkup, 2005)




