Pyetja:

Gjatë kohës së Ramazanit babai im ka qenë i sëmurë dhe ka pasur terapi për të marrë. Ka qenë në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Ai ka qenë 79 vjeç. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, unë si fëmijë i tij nuk e kam lënë të agjëroj. Edhe ai më tha: “Ndoshta ky është Ramazani i fundit i imi,” por prapë nuk ka agjëruar.

Babai ka pasur kancer të prostatës, ka qenë me diabet, ka pasur probleme me veshkë dhe trombozë të arteries kryesore të këmbës.

Edhe unë si fëmijë i tij, a mund t’ia kompensoj agjërimin me pagesë apo në çfarëdo forme? Ai ka vdekur. Ju lutem, më ktheni përgjigje.

Përgjigjja:

Fillimisht, Allahu e mëshiroftë babën tuaj, ia faltë mëkatet dhe e bëftë prej banorëve të Xhenetit.

Të gjitha këto probleme që i ka pasur, siç e përmende, tregojnë se ka qenë më mirë që nuk ka agjëruar, sepse edhe ashtu nuk kishte mundur të agjëronte (ka qenë i liruar prej agjërimit).

I sëmuri që lë agjërimin dhe nuk agjëron është dy llojesh:

  1. I sëmuri që shpresohet se do të shërohet dhe më pas do të vazhdojë agjërimin –  ky nuk e kompenson menjëherë, por pas Ramazanit, kur forcohet dhe bëhet më mirë, i bën ditët e prapambetura.
  2. I sëmuri që nuk pritet të shërohet, ose plaku i shtyrë në moshë – ky ka obligim që aq ditë sa zë Ramazanin gjallë, aq ditë t’i shpagojë nëse i ka kushtet. Kjo bëhet duke ushqyer një të varfër për çdo ditë të Ramazanit.

Në këtë rast, i sëmuri e ka zënë Ramazanin, por nuk ka agjëruar asnjë ditë. Sëmundjet dhe terapitë që ka pasur tregojnë se ai ka qenë me sëmundje të rëndë dhe nuk pritej shërim prej tyre. Prandaj, llogaritet që për ato ditë sa ka qenë gjallë gjatë Ramazanit, të bëhet shpagimi.

Si duhet vepruar?

Para se të ndahet pasuria e babait që ka vdekur, fillimisht shikohen borxhet që i kanë mbetur:

  • borxhet ndaj njerëzve,
  • borxhet ndaj Allahut, si zekati apo agjërimi.

Këto duhet të paguhen nga pasuria e tij. Vetëm pasi të kryhen këto detyrime, pjesa e mbetur ndahet mes fëmijëve.

Hoxhë Rasim Haxha

 

Si bëhet shpagimi?

Shpagimi bëhet duke ushqyer një nevojtar për çdo ditë të paagjëruar, me një shujtë sa për t’u ngopur.

Kjo mund të bëhet në dy mënyra:

  1. Për çdo ditë veç e veç, duke ushqyer një të varfër.
  2. Në fund të muajit, duke organizuar një gosti dhe duke mbledhur nevojtarët që duhen ushqyer.