Pyetja:
Burri nuk më lejon të mbulohem dhe për këtë mërzitem shumë. Çfarë më këshilloni të bëj?
***
Përgjigjja:
Mbulesa është një obligim, që e vuri Allahu për femrat muslimane.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
“O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (Ahzab: 59)
Mbulesa është pastërti për nderin dhe dinjitetin e femrës. Ky obligim që është nga Allahu, nuk guxon të thyhet për hir të dëshirave të njerëzve qofshin ata edhe bashkëshortët që duhet dëgjuar për çdo gjë, përveç kur vije në pyetje ndonjë urdhër i Allahut.
I Dërguari i Allahut, ﷺ ka thënë: “Nuk ka bindje ndaj krijesës kur kundërshtohet Krijuesi (Allahu).” [1]
Po të ishit e pamartuar do t’ju thoshim se mos u martoni për personin që ju pengon t’i praktikoni urdhrat e Allahut. Por pasi edhe ju vet keni ndryshuar pozitivisht dhe jeni bindur më vonë se duhet të mbuloheni, tani e kemi obligim të shikojmë mënyra se si të mbahet edhe lidhja martesore e qëndrueshme, por edhe urdhrat e Allahut në vend. Andaj bashkëshortit duhet t’i sqarohet se mbulesa është urdhër prej Allahut për femrën muslimane. Duhet të bisedoni me burrin sa më tepër deri sa të bindet se për ju është obligim dhe se edhe ai mban përgjegjësi dhe do të jep llogari për mëkatet tua, përveç për ato të vetat.
Muhamed Dërmaku
————————–
[1] Muslimi