Pyetje:
Kur dikush hyn në shami, mirëpo namazi sapo ka filluar dhe safi është mbushur plotësisht. A i lejohet këtij që të nxjerrë ndonjë njeri prej safit të mbushur dhe të bëjë një saf me të, apo të falet pas safit, i vetëm? Apo çfarë duhet të bëjë?

Përgjigje:
Kur vjen dikush dhe e gjen safin e mbushur, ai njeri para vetes ka katër opsione:

  1. Të falet i vetëm pas safit.
  2. Të nxjerrë dikë nga safi i mbushur dhe të falet me të.
  3. Ose të dalë përpara dhe të falet tek imami, nga ana e djathtë. Kjo është kur dëshiron të falet me këtë xhemat.
  4. Të mos bashkangjitet fare me këtë xhemat.

Cila është më e mira nga këto katër?

Them: Më e mira nga këto katër është që të falet i vetëm pas safit dhe të falet me imam.

Sepse është vaxhib namazi me xhemat, e po ashtu edhe renditja në saf, d.m.th., dy vaxhibe.

Nëse të pamundësohet njëra — renditja në saf — tjetra ende mbetet vaxhib — namazi me xhemat.

Pra, themi:
Falu me xhemat pas safit të plotë që të arrish sevapin e xhematit, e renditja në saf në këtë rast nuk është detyrim për ty, për shkak të pamundësisë. All-llahu, subhanehu ue teala, ka thënë:

“Kini frikë All-llahun aq sa mundeni.” (et-Tegabun, 16)

Argument nga rregulli i gruas në namaz

Argument për këtë është ajo se gruaja vendoset e vetme pas safit të burrave nëse nuk ka gra të tjera, sepse sipas sheriatit nuk ka vend për të në safin e burrave.

Pasi nuk ka mundësi të hyjë në saf, atëherë falet e vetme.

E ky person, i cili hyn në xhami dhe nuk gjen vend të zbrazët për t’u futur në saf, atëherë nuk e ka detyrim të hyjë në saf, por e ka detyrim të falet me xhemat.

Le të falet pas këtij safi.

Pse nuk lejohet të nxjerrësh dikë nga safi?

Të nxjerrësh dikë prej safit që të falet me ty, kjo nuk është në rregull dhe në këtë ka tre gabime:

  1. Gabimi i parë:
    Hapja e zbrazëtirës në saf, gjë e cila është në kundërshtim me urdhërin e Resulull-llahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, për drejtimin dhe mbushjen e zbrazëtirave brenda safeve.
  2. Gabimi i dytë:
    Nxjerrja e këtij njeriu prej një vendi më të lavdëruar në vend më pak të lavdëruar. Kjo është një lloj padrejtësie ndaj tij.
  3. Gabimi i tretë:
    Pengimi në namazin e këtij personi, sepse kur të nxirret ky person prej safi, patjetër se do t’i humbë përqendrimi — edhe kjo është padrejtësi ndaj tij.

Pse nuk është mirë të falet në të djathtë të imamit?

Sa i përket renditjes së tij tek imami, nuk është mirë. Ngase pozita e imamit duhet të dallohet nga pozita e xhematit, ashtu sikurse dallon prej tyre në fjalët dhe lëvizjet gjatë namazit — merr tekbir para tyre, bie në ruku para tyre, në sexhde para tyre — ashtu duhet të dallojë edhe vendi i tij prej tyre.

Kështu është Suneti i Resulull-llahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: që imami të jetë para xhematit.
E kjo njëherit të jep të kuptosh se pozita e tij dallon nga të tjerët.

Nëse dikush nga xhemati lidhet pranë tij, atëherë humbet kjo veçanti, e cila i takon vetëm imamit gjatë namazit.

Pse nuk lejohet të mos i bashkangjitet xhematit?

Sa i përket opsionit të katërt — që ai të mos i bashkangjitet xhematit — për këtë nuk ka kurrfarë të drejte.

Ngase namazi me xhemat është vaxhib, e po ashtu edhe renditja në saf. Nëse njërën prej këtyre nuk ka mundësi ta veprojë, detyrimi tjetër nuk i falet.


Shejh Uthejmini “Kushtet e Fesë”