Pyetja:

A ka ndonjë lutje të posaçme që transmetohet apo dhikër të posaçëm që duhet ta thotë namazliu ndërmjet dy hutbeve ditën e xhuma? A transmetohet se hatibi ditën e xhuma duhet të lutet mes dy hutbeve apo jo?

***

Përgjigjja:

Nuk ka ndonjë dhikër specifik apo dua specifike, porse njeriu lutet me çka të dëshirojë (prej duave). Ngase kjo kohë është kohë ku duaja pranohet.

Transmetohet nga Pejgamberi, ﷺ, i cili ka thënë: ”Dita e xhumasë ka dymbëdhjetë orë dhe në njërën prej këtyre orëve nëse një rob i Allahut i lutet për diçka Atij, Ai me siguri do t’i përgjigjet lutjes së tij. Kërkojeni atë në orën e fundit pas namazit të ikindisë.” [1]

Përcillet nga Ebu Musa el Esharij (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: “Ajo (koha) është në momentin kur del imami, kur futet në xhami, derisa të përfundojë namazin.” [2]

Kjo kohë është kohë ku duaja pranohet. Kërkohet nga njeriu që të preokupohet me këtë rast të volitshëm duke bërë dua ndërmjet dy hutbeve me çdo gjë që ai dëshiron prej mirësive të dunjasë dhe botën Tjetër.

E njëjta gjë thuhet (dhe kërkohet) edhe për imamin. Ai bën dua ndërmjet dy hutbeve, porse kjo dua duhet të jetë në heshtje (jo me zë) dhe të lutet me çfarë të dëshirojë prej çështjeve të dunjasë dhe botës Tjetër.

Po ashtu edhe në namazin e xhuma në sexhde pas bërjes së dhikrit të sexhdeve që transmetohet nga Profeti ﷺ, lutet me çfarë të dojë.

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Shumica e haditheve që flasin për orën në të cilën shpresohet pranimi i lutjes thonë se ajo orë është pas namazit të ikindisë. Por, shpresohet gjithashtu të jetë pas kalimit të diellit kupën e qiellit.”

Gjithashtu dhe në teshehud lutet para dhënies së selamit me çfarë të dojë pasi ka bërë duatë që transmetohen.

Shejh Ibën Uthejmini, “Fetaua nurun ala ed derb” & “Fetaua es salah”

———————–

[1] Muslimi

[2] Muslimi