Pyetja:

Cila është mosha e përshtatshme për ta mësuar fëmijën të agjërojë?

***

Përgjigjja:

Ibn Kudame ka thënë: “Euzai ka thënë: ’Nëse ai (fëmija) mund të agjërojë për tri ditë radhazi, pa ndërprerje dhe pa u dobësuar, ai duhet të ngarkohet me agjërimin e ramazanit’.
Is’hak Ibn Rahauej ka thënë: ’Unë e pëlqej që atij (fëmijës) t’i ngarkohet agjërimi kur të mbërrijë moshën dymbëdhjetë vjeçe, me qëllim që ai të mësohet me këtë’.
Mosha dhjetë vjeçe konsiderohet si koha e duhur, sepse Pejgamberi ﷺ urdhëroi të rrihen lehtë për mosfalje të namazit në këtë moshë, dhe të konsiderosh agjërimin sikurse namazin është më mirë, për shkak të afërsisë që kanë ndërmjet vete dhe ngaqë këto dy janë adhurime fizike dhe shtylla të Islamit. Mirëpo, nëse agjërimi për të është shumë i vështirë, duhet të kihet në konsideratë forca e tij, sepse disa mund të falin namazin, por s’mund të agjërojnë. [1]

Shejh Ibn Uthejmin ka thënë: “Fëmija nuk duhet të detyrohet të agjërojë, derisa të hyjë në pubertet, por duhet t’i thuhet (të agjërojë) kur mund të durojë, në mënyrë që të përshtatet e të mësohet, dhe t’i vijë më lehtë pasi të hyjë në pubertet. Sahabët (radi Allahu anhum), të cilët janë më të mirët e këtij umeti, i bënin fëmijët e tyre të agjëronin ndërsa ata ishin të vegjël. Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) i shtynin fëmijët e tyre të agjëronin, dhe, kur më të vegjlit prej tyre qanin, u jepnin lodra që t’ua hiqnin vëmendjen me lojë. Mirëpo, nëse vërtetohet se kjo e dëmton atë, ai duhet të pengohet nga agjërimi. Nëse Allahu na ndalon t’u japim të vegjëlve pasurinë e tyre nga frika e shpërdorimit të saj, atëherë është më parësore që ata të pengohen nga diçka që i dëmton fizikisht. Dhe pengimi bëhet jo në mënyrë të ashpër, sepse s’duhet vepruar kështu në bashkëveprim me fëmijët gjatë edukimit të tyre.
Allahu e ka bërë obligim agjërimin për çdo musliman që është i përgjegjshëm dhe rezident (jo udhëtar). Sa i përket fëmijëve që s’kanë mbërritur pubertetin, agjërimi nuk është obligim për ta, sepse Pejgamberi ka thënë: ”Penda është ngritur nga tre” dhe përmendi fëmijën, derisa ai të hyjë në pubertet. Mirëpo, është obligim për kujdestarin e fëmijës që ta urdhërojë atë për të agjëruar, kur fëmija të mund ta bëjë këtë, meqë kjo është nga disiplinimi dhe trajnimi për të zbatuar shtyllat e Islamit. Shohim disa persona t’i lënë fëmijët e tyre dhe nuk i urdhërojnë as për namaz e as për agjërim, dhe ky është gabim. Vërtet, ata do të pyeten rreth kësaj, kur të dalin para Allahut. Ata thonë se nuk i bëjnë fëmijët e tyre të agjërojnë nga dhembshuria dhe mëshira që kanë ndaj tyre. Kurse, realiteti është se dhembshuri dhe mëshirë ndaj fëmijës është që personi ta përgatisë atë për cilësi e punë të mira, jo që personi të përmbahet nga të edukuarit dhe të disiplinuarit e tyre në mënyrë të dobishme”.

Shejh Ibn Uthejmin, “Mexhmu Fetawa” 20,19/19)

—————————

[1] Mugnî 4/412