Pyetja:
Cila është vlera e dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit?
***
Përgjigjja:
Ramazani është më i miri muaj; ashtu që të mos shuhen ambiciet kah fundi i tij, Allahu i Madhëruar e ka bërë fundin e tij më të mirë sesa fillimin; ndërkaq, i privuar i vërtetë është ai që e shpërfill atë dhe i mëshiruar është ai që e ruan atë (duke kryer adhurime).
Allahu i Lartësuar e bëri fundin e Ramazanit më të vlefshëm sesa fillimin e tij, sepse njeriu është aktiv në fillim (të punëve) dhe dobësohet në fundin e tyre, kështu që i sinqerti qëndron, ndërsa hipokriti stagnon; e sipas besimit është edhe qëndrueshmëria.
Kush ishte i mangët në fillim të Ramazanit dhe përmirësohet në fundin e tij, është më i mirë sesa ai që ishte i mirë në fillim pastaj u tregua i mangët në fund, ngaqë në hadith thuhet: “vërtet veprat vlerësohen sipas përfundimit”.
Dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit është më i vlefshëm sesa njëzet ditët para tyre së bashku, e lëre më ditët tjera (jashtë Ramazani); çdo vepër e mirë e madhore, në këto dhjetë ditë është edhe më e madhe; dhe vepra e pakët në këto ditë është e madhe në peshore.
Veprat më të mira në natën e Kadrit dhe në dhjetë netët, janë: “namazi, kurani dhe lutja”; e gjendja më e mirë është bashkimi i këtyre të triave me: zgjatje të namazit duke lexuar kuran dhe me zgjatje të sexhdes duke u lutur.
Gjallërimi i tërë natës me namaz në këto dhjetë netë është nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut ﷺ. Aisheja (radijallahu anha) thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ njëzet ditët e para i përziente mes namazit dhe gjumit (dhe falej dhe flinte), ndërsa kur ishte dhjetëditëshi i fundit u përvilte dhe shtrëngonte rripin!”, (pra, i përvishej adhurimit dhe nuk flinte).
Në këtë dhjetëshe është nata e Kadrit, për të cilën Allahu i Madhëruar ka thënë: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” (Kadr: 3–5)
Mbyllja e të Dërguarit ﷺ në itikaf në dhjetëditëshin e fundit, duke qenë se drejtonte shtetin islam, jepte fetva dhe duke pasur ummeti nevojë për të, është argument se më e udhës është të vonohen dobitë për shkak të këtij dhjetëditëshi.
Kujt i pamundësohet itikafi gjatë dhjetë ditëve, le të hyjë në itikaf në netët teke, e nëse dhe kjo i pamundësohet, le të hyjë në itikaf natën e njëzet e shtatë, e nëse nuk mundet as këtë, le të hyjë në itikaf qoftë edhe një orë, Jala ibn Umejje, nga shokët e të Pejgamberit ﷺ, bënte itikaf një orë.
Shejh Abdulaziz et Tarifi
~Përkthim