Mbulesa fetare, të cilën e do Allahu dhe i Dërguari i Tij, është ajo mbulesë që duhet t’i plotësojë tetë kushte:

Kushti i parë: Mbulimi i tërë trupit.

Allahu i Lartësuar thotë: “Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës).” (En Nur: 31)

Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit.” (El Ahzab: 59)

Profeti ﷺ ka thënë: “Gruaja është avret.” ( Hadith autentik (sahih). Hadithin e shënojnë Tirmidhiu, me nr. (1174), Ibn Huzejme, me nr. (1686), Taberaniu, në: “El Kebir”, me nr. (101115) dhe Ibn Hibani, me nr. (1686). Shih: “Sahih et Tergib”, me nr. (346).)

Kushti i dytë: Të jetë e trashë, e jo e tejdukshme.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në fund të umetit tim do të ketë gra të veshura, por realisht të zhveshura, kokat e tyre u ngjasojnë gungave të deveve; mallkojini, ngase janë të mallkuara!” (Hadith autentik (sahih). Hadithin e shënojnë Ahmedi, (2/223), Taberaniu, në: “El Eusat”, me nr. (9331) dhe teksti është i këtij të fundit. Gjithashtu e shënojnë Hakimi, me nr. (8346) dhe Ibn Hibani, me nr. (5753). Shih: “Xhilbabul meretil muslimeh”, f. 125.)

Gruaja e veshur, por realisht e zhveshur, është ajo që vesh rroba të holla, të cilat ia shfaqin pjesë e trupit. Alkame ibn Alkame transmeton nga nëna e tij, e cila ka thënë: “E kam parë Hafsa bint Abdurrahman bin Ebu Bekrin teksa hyri tek Aishja, ndërsa ajo kishte një mbulesë të hollë që prej saj i dukej gjoksi. Kështu që, Aishja ia shqeu dhe i tha: “A nuk e di çfarë ka zbritur Allahu në suren Nur? Pastaj e kërkoi një himar (mbulesë) dhe e mbuloi.” (E shënon Ibën Sadi, në: “Et Tabekat”, (8/57). Shih: “Xhilbabul mer’etil muslimeh”, f. 126)

Kushti i tretë: Rroba të jetë e gjerë, që të mos e përshkruajë ndonjë pjesë të trupit të femrës.

Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Profeti ﷺ ma dha një rrobë egjiptiane të trashë, të cilën ia kishte dhuruar Dihije Kelbiu. Unë atë rrobë ia dhashë gruas sime. Me ç’rast Profeti ﷺ më tha: “Pse nuk po e vesh rrobën egjiptiane (të cilën ta kam dhuruar)?” I thashë: “Ia kam dhuruar gruas
sime.” Profeti ﷺ tha: “Urdhëroje atë që të veshë përfundi saj ndonjë mbulesë, sepse frikësohem se ajo rrobë ia përshkruan trupin.” (E shënojnë Ahmedi, (5/205), Taberaniu, në: “El Kebir”, me nr. (372) dhe Bejhekiu, (2/234). Shih: “Xhilbabul meretil muslimeh”, f. 131)

Ky hadith tregon se gruaja obligohet ta mbulojë trupin e saj me rrobë që nuk ia përshkruan trupin, kështu që, ajo grua që vesh pantallona, në (gjuhën e fesë) konsiderohet e zhveshur, sepse pantallonat ia përshkruajnë dhe ia trupëzojnë trupin.

Kushti i katërt: Të mos jetë zbukurim në vete.

Allahu i Lartësuar në Librin e Tij thotë: “…dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre.” (En Nur: 31)

Profeti ﷺ ka thënë: “Për tre persona mos pyet (në Ditën e Gjykimit)…” dhe përmendi: “një grua, burri i së cilës mungonte e nuk ishte me të, ndërsa ia ka siguruar gjërat e nevojshme të kësaj bote, kësisoj ajo është zhveshur (dhe i ka shfaqur stolitë), pasi ai largohet nga ajo! Mos pyet për ta!” (Hadith autentik (sahih). Hadithin e shënojnë Ahmed, (6/19), Buhariu, në: “El Edebul Mufrad”, me nr. (590), Taberaniu, në: “El Kebir”, (18/306/788) dhe teksti është i këtij të fundit dhe Hakimi, me nr. (411). Shih: “Es Silsileh es Sahihah”, me nr. (542).)

Kushti i pestë: Të mos jetë e parfumuar.

Profeti ﷺ ka thënë : “Ajo grua e cila parfumohet, pastaj del për ta ndjerë meshkujt erën e saj, ajo është lavire. Çdo sy bën zina (kurvëri).” (Hadith i mirë (hasen). Hadithin e shënojnë Tirmidhiu, me nr. (2786), Darimiu, me nr. (2688), Ibn Huzejme, me nr. (1681) dhe Ibn Hibani, me nr. (4424).)

Gjithashtu Profeti ﷺ ka thënë: “Nëse njëra prej jush (femra) del për në xhami, mos t’u afrohet parfumeve.” (Hadith autentik (sahih). Hadithin e shënojnë Nesaiu, me nr. (5262), Ebu Avane, me nr. (1449) dhe teksti është i këtij të fundit. Gjithashtu e shënon Taberaniu, në: “El Eusat”, me nr. (7827).)

Kushti i gjashtë: Të mos jetë rrobë që dallohet dhe bie në sy.

Profeti ﷺ ka thënë: “Ai që në këtë botë vesh rroba që dallohen dhe bien në sy, Allahu i Lartësuar do t’i veshë atij rroba poshtërimi në Ditën e Gjykimit, e pastaj do t’ia ndezë me zjarr.” (Hadith i mirë bazuar në transmetimet e tjera (hasen ligajrihi). Hadithin e
shënojnë Ibn Maxheh, me nr. (3607) dhe teksti është i tij; Ahmedi, (2/92), Nesaiu, në: “El Kubra”, me nr. (9487) dhe Ebu Jala, me nr. (5698). Që të gjithë e shënojnë pa këtë pjesë: “e pastaj do t’ia ndezë me zjarr.” Shih: “Sahih et Tergib”, me nr. (2089).)

Kusht i shtatë: Të mos u ngjasojë rrobave të burrave .

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ e mallkoi atë burrë që veshë rroba grash dhe atë grua që vesh rroba burrash.” (Hadith autentik (sahih). Hadithin e shënojnë Ebu Davudi, me nr. (4098), Nesaiu, në: “El Kubra”, me nr. (9209) dhe Ibn Hibani, me nr. (5752). Shih: “Sahih et Tergib”, me nr. (2089).)

Po ashtu Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk janë prej nesh ata burra që u ngjasojnë grave, e as ato gra që u ngjasojnë burrave.” (Hadith autentik (sahih). Hadithin e shënojnë Ahmedi, (2/199), Taberaniu, në: “El Kebir”, me nr. (4332), Ebu Nuajmi, në: “Hiljetul eulija”, (3/321). Shih: “Sahih el Xhami”, me nr. (5433).)

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ i ka mallkuar burrat që u ngjasojnë grave dhe gratë që u ngjasojnë burrave.” (Hadithin e shënon Buhariu, me nr. (5885).)

Kushti i tetë: Të mos i përngjajnë rrobave të jobesimtareve.

Profeti ﷺ ka thënë: “Kush i përngjan një populli, është prej tyre.” (Hadith autentik (sahih). Hadithin e shënojnë Ahmedi, (2/50), Abd bin Humejdi, me nr. (848) dhe Taberaniu, në: “El Kebir”, me nr. (14109). Shih: “Xhilbabul mer’etil muslimeh”, f. 204.)

Përktheu: Hoxhë Burim Koçinaj