Namazi në Qabe

▪️Allahu i madhëruar thotë në Kuran:
«Ia morëm besën Ibrahimit dhe Ismailit që ta pastrojnë Shtëpinë Time për ata që bëjnë: Tavaf, Itikaf dhe bien në Ruku e Sexhde»
Sure El-Bekare: 125

▪️Në këtë ajet shihet se prej adhurimeve që ka kërkuar Allahu i Madhëruar të kryhen në Qabe është edhe Namazi i cili është adhurim që përmban përmendjen e Allahut të madhëruar me: madhërime, lexime vargjesh nga Libri i Tij, lutje, përkulje me Ruku dhe Sexhde dhe së fundi Selam.

▪️Ky lloj adhurimi ndryshe nga Tavafi dhe Itikafi ka qenë edhe para ndërtimit të Qabesë, sepse është përmendur për të gjithë profetët që nga koha e Ademit -alejhi selam- babait të njerëzimit.
Imam El-Meruezij një prej dijetarëve të hershëm -Allahu e mëshiroftë- i cili ka shkruar për historikun e Namazit, thotë:
«Namazi ka qenë detyrë për Nuhun dhe për të gjithë profetët si dhe për Profetin tonë -alejhi selam-.
Allahu i madhëruar i ka përmendur (në Kuran) profetët: profet, profet dhe i ka përshkruar duke thënë:

Këta janë ata, të cilët i begatoi Allahu prej profetëve, prej pasardhësve të Ademit, prej atyre që i mbartëm me Nuhun, prej pasardhësve të Ibrahimit dhe të Israilit dhe prej atyre që i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Atyre kur iu lexoheshin vargjet e të Gjithëmëshirshmit, binin në sexhde dhe qanin”.
Kështu, Allahu njofton se të gjithë profetët i përkushtoheshin namazit, e adhuronin Allahun dhe afroheshin me të tek Ai, sepse më pas thotë:
Pastaj erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta dhe ata me pa dyshim do të gjejnë dënim të madh” Sure Merjem: 58-59.»
Mbaron këtu fjala e tij Allahu e mëshiroftë .

▪️Pra, të gjithë profetët e Allahut edhe para ndërtimit të Qabesë e kanë njohur namazin, madje në shumë argumente është përmendur edhe ngjashmëria e namazeve të profetëve në formë dhe në kohën e kryerjes së tyre.
➖Për sa i përket ngjashmërisë në formë e shohim edhe në këto ajete se namazet e tyre përmbanin lexim vargjesh të librave të Allahut dhe sexhde. Ndërsa te porosia e lartpërmendur e Ibrahimit shohim edhe rukunë, kurse në fjalët e Profetit tonë -alejhi selam- shohim edhe lidhjen e duarve në namaz, sepse prej tij është transmetuar se ka thënë:
Ne profetët jemi urdhëruar të vendosim duart e djathta mbi të majtat në namaz
E transmeton Tajalisiu, Ibn Hibbani dhe e saktëson Shejh Albani.
➖Ndërsa për sa i përket ngjashmërisë në kohën e kryerjes së namazeve është transmetuar nga Profeti alejhi selam se ka thënë:
Më ka prirë dy herë Xhibrili në namaz te shtëpia e Allahut. Pastaj më tha: o Muhamed! Këto janë kohët e namazeve të profetëve para teje. Koha e tyre është mes këtyre dy kufijve
E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu etj dhe e saktëson Shejh Albani.
➖Kështu, përderisa namazi është adhurim i hershëm dhe i kërkuar nga Allahu i madhëruar për të gjithë profetët, atëherë mbushja e shtëpisë së parë të Allahut më këtë adhurim do ti përshtatej qëllimit të ndërtimit të saj më shumë se çdo adhurim tjetër dhe prandaj në porosinë Allahut të madhëruar për Ibrahimin -alejhi selam- gjejmë përmendjen e këtij adhurimi.

Allahu i madhëruar pas ndërtimit të Qabesë i dha shumë vlerë namazit në këtë vend duke e shumëfishuar shpërblimin e kryerjes së tij në të.
➖Profeti -alejhi selam- thotë:
Një namaz në Xhaminë e Shenjtë (Qabesë) është sa njëqind mijë namaze në xhamitë e tjera
E transmeton Ibn Maxhe, Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.

Nuk i ngjan Qabesë në këtë veçori veçse Xhamia e Profetit në Medine dhe Xhamia Aksa në Palestinë për të cilat Profeti -alejhi selam- thotë:
Një namaz në xhaminë time është sa një mijë namaze në xhamitë e tjera me përjashtim Qabesë
E transmeton Muslimi.

Dhe ka thënë:
Një namaz në xhaminë time është sa katër namaze në Bejtul-Makdis
E transmeton Taberanij, Hakimi, Bejhakiu dhe e saktëson Shejh Albani.

Hadithi tregon se edhe në Xhaminë Aksa ka shumëfishim sevapesh për namazin dhe përderisa katër namaze atje janë sa një namaz në Xhaminë e Profetit, atëherë namazi i saj në lidhje me xhamitë e tjera i bie të jetë sa dyqind e pesëdhjete namaze.

 

/Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli/