Pyetja: Cili është komentimi i hadithit:
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:”Secili njeri do të ringjallet (në Ditën e Gjykimit) në gjendjen në të cilën ka vdekur.” | Transmeton Muslimi |
Përgjigja: Dijetarët kanë mospajtime rreth komentimit të këtij hadithi.
Në librin “Ed-Dibaxh ala Muslim” që është koment i Sahih Muslimit,thuhet: “Secili njeri do të ringjallet (në Ditën e gjykimit) në gjendjen në të cilën ka vdekur” domethënë në gjendjen në të cilën ka vdekur.
Kurse, disa dijetarë thonë për qëllim është se i vdekuri ringjallet në qefinin e tij me të cilin është mbuluar.
Të tjerët thanë se ky hadith është i veçantë për shehidin që vdes në rrugën e Allahut. Të tjerët teshehidi e shtuan edhe atë që vdes në ihram.
Por, mendimi më afër së vërtetës është, e Allahu e di më mirë, se ky hadith flet për çdo njeri. Menawij në “Fejdul-Kadir” thotë: “Vërtetë, çdo të mirë apo të keqe që robi e vepron në jetën e kësaj bote sjellë rezultate të cilat shfaqen në botën e përhershme, sepse ajo është vendi i shpërblimit dhe çdo njeri do të shpërblehet sipas veprave të tij. Çdo e vepër e mirë apo e keqe do të shpërblehet / ndëshkohet sipas llojit të saj. Dhe,çdo njeri do të ringjallet sipas gjendjes në të cilën ka qenë në dunja(jetën e kësaj bote).
Për këtë arsye është transmetuar se çdo njeri ringjallet sipas gjendjes në të cilën ka vdekur. Të urtët kanë thënë:Shpirtrat të cilët në jetën e kësaj bote kanë qenë të vendosur në trupat e tyre, por që kanë qenë të padijshëm, kur të ndahen prej trupave të tyre, në ahiret, do të mbeten në të njëjtën injorancë që ishin, dhe kjo injorancë to bëhet shkaktari kryesor i dhimbjeve shpirtërore për ta.” Më poshtë thotë: “Secili njeri do të ringjallet(në Ditën e gjykimit) në gjendjen në të cilën ka vdekur” domethënë sipas gjendjes në të cilën ka vdekur, qoftë e mirë (hajr) ajo gjendje apo e keqe (sherr).
Herawiu thotë: Mendimi i atyre që thonë se për qëllim është qefini (me të cilin është varrosur) nuk është mendim i saktë, sepse njeriu qefinoset pasi që të vdes.”
Këtë hadith e sqaron një hadith tjetër të cilin e përcjellë Ebu Dawudi prej Umerit, radijallahu anhu: “Dikush i tha të Dërguarit, salallahu alejhi we selem: O i Dërguari i Allahut! Më trego për luftën dhe betejat. Ai u përgjigj: “Nëse vritesh duke u treguar i durueshëm dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, atëherë në këtë gjendje do të ringjallesh. Por, nëse vritesh duke luftuar sa për syefaqe dhe për të shtuar pasurinë (prej plaçkës së luftës), atëherë në këtë gjendje do të ringjallesh. Në çfarëdo gjendje që lufton apo vritesh, Allahu do të të ringjallë në atë gjendje.”
Kadi Ijad, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Muslimi këtë hadith (domethënë hadithin për të cilin po flasim) e shkruajti (në Sahihun e tij) menjëherë pas hadithit: “Askush prej jush të mos vdes ndryshe veçse duke pasur mendim të mirë(pozitiv) për Allahun”, duke dhënë sinjal se ky hadith e shpjegon atë të parin. Kurse, pas tij e shkruajti hadithin: “Pastaj, ata do të ringjallën sipas veprave të tyre”, duke dhënë sinjal se ai edhe pse është sqarues i hadithit pararendës, megjithatë ai është i përgjithshëm dhe vlen si për të por edhe për të tjerët.”
Allahu e di më mirë!
Hoxhë Lulzim Perçuku