Pyetja:
Cili është mendimi i saktë në lidhje me vizitën e varreve nga ana e grave?
***
Përgjigjja:
Mendimi i saktë është lejimi i vizitës së varreve nga gratë sepse siç transmetohet nga Burejdeh se Profeti ﷺ ka thënë: “U kisha ndaluar nga vizita e varreve, por tani vizitojini ato.” [1]
Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), i tha Profetit ﷺ: O i Dërguari i Allahut, nëse unë shkoj tek varrezat, çfarë duhet të them? Tha: “Thuaj: Eselamu alejkum dara kaumin muminin….” Pra, i mësoi lutjen e vizitës së varrezave. Gjithashtu është vërtetuar se Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ka vizituar varrin e vëllait të saj Abdurrahmanit.
Siç dihet parimi bazë në dispozitat fetare është barazia ndërmjet burrave dhe grave, përveç atëherë kur ka ndonjë argument specifik që e dallon njërën palë nga tjetra me dispozitë të veçantë.
Përsa i përket hadithit: “Allahu i mallkoftë vizitueset (zeu-uarat) e varreve!” ai mund të jetë thënë para se të lejohej vizita e varreve, duke marrë si argument hadithin e mësipërm: “U kisha ndaluar nga vizita e varreve, por tani vizitojini ato.” Ose mund të ketë për qëllim, ato vizitore që thonë fjalë të ndaluara apo bëjnë veprime të ndaluara, pra shfaqin zemërim ndaj kaderit apo sic ndodh në vizitat e varreve të personaliteteve si psh., tek varri i Husejnit, apo i Bedeuiut apo Ibn Uluanit apo tek varri në Tuhameh, etj ku përzihen burrat me gratë dhe ndoshta kryejnë dhe imoralitet.
Ndërsa parimisht lejohet që gratë t`i vizitojnë varret dhe të flasin vetëm fjalë të mira, sic i mësoi Profeti ﷺ. Gjithashtu hadithi: “Vizitojini varret sepse ato u përkujtojnë Ahiretin!” është hadith që i përfshin burrat dhe gratë, sepse dhe gratë kanë nevojë që të përkujtojnë botën tjetër. [2]
Termi zairat është emër foljor që tregon thjesht ndodhinë e veprimit, ndërsa termi zeu-uarat tregon shkallën sipërore të mbiemrit, është formë superlative.
Përsa i përket hadithit: “Allahu i mallkoftë ato gra që vizitojnë (zairat) varret dhe ata që i kthejnë varret në faltore dhe ndezin kandila atje” transmetohet nëpërmjet Ebu Salihut i cili është transmetues i dobët, por megjithatë është hadithi tjetër i Ebu Hurejres dhe i Hasanit që janë të vlefshëm për argumentim: “Allahu i mallkoftë vizitueset (zairat) e varreve.” dhe “Allahu i mallkoftë vizitueset (zeu-uarat) e varreve!”, megjithatë kuptimi i tyre ka të bëjë me ato gra që thonë fjalë të gabuara apo bëjnë veprime të palejuara.
Shejh Mukbil bin Hadij el Uadi`ij, Ixhabetus-sail an ehemil mesail fq. 554-555
Përktheu: Shuajb Rexha
———————–
[1] Muslimi
[2] Sheukanij, “Nejlul Eutar”